Suso është një ndër lojtarët më të kritikuar të Milanit në këtë fillim sezoni. Spanjolli ka vuajtur shumë si e gjithë skuadra dhe kundër Spalit përfundoi në stol. Stefano Pioli vendosi ta hidhte në fushë në minutën e 57-të dhe anësorit ofensiv i mjaftuan 6 minuta për të zhbllokuar sfidën dhe për të gjetur golin e fitores.
Goli i parë në këtë sezon për 25-vjeçarin, më saktë një eurogol. Suso tregoi mjeshtërinë nga goditja e dënimit dhe mposhti Berishën e pafat. Rrjeta e tij riktheu kuqezinjtë te fitorja dhe i dhuroi Piolit suksesin e parë në pankinën e “Djallit”.
Suso ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, aty ku tregon përulësi, pranon kritikat dhe tenton të karikojë shokët e skuadrës. Objektivi i Milanit është rikthimi në Champions League dhe kuqezinjtë janë 6 pikë larg vendit të katërt për momentin.
“Një gol nuk e ndryshon historinë dhe nuk e fshin momentin negativ. As fishkëllimat dhe as duartrokitjet. Ose kritikat. Një gol të dhuron frymëmarrje, të bën të kuptosh se rruga është e duhura, por është akoma e gjatë. Jam pjesë e Milanit dhe bëj tifozllëk për këtë ekip. Nuk ka rëndësi kush luan ose kush shënon.
Rëndësi ka të rikthehemi në pozicionet e larta në renditje. Na takon ne të gjithëve ta provojmë. Kemi edhe dy ndeshje përpara pushimit të kombëtareve. Le të besojmë, sepse gjithçka është e mundur. Përgjithmonë, Forca Milan“, përfundon një ndër lojtarët më të mirë të kuqezinjve. /abcnews.al