Golden State arriti një fitore shumë të rëndësishme në basketbollin amerikan. Kampionët ia dolën në fushën e rivalit Houston, madje duke mos pasur Kevin Durantin në formacion.
Nëse duhej dëshmi se je gati për të mbrojtur titullin, një ndeshje si kjo ishte rasti i duhur. Golden State arriti një fitore të mundimshme, por nga ato që të japin lavdinë, 106-104 në fushën e Houstonit, dhe tregoi se mbetet favorit për kurorën e NBA-së.
Suksesi ishte i rëndësishëm jo vetëm sepse u arrit në Arenën e njërit prej rivalëve kryesorë, por edhe sepse erdhi në mungesë të yllit kryesor, Kevin Durantit të dëmtuar. Kapiteni Clay Thompson u tregua i denjë për shiritin duke shënuar 30 pikë e kapur 6 topa në tabela.
Shumë i zot edhe lojtari qendër Demarkus Cousins, që luajti ndeshjen më të mirë për Golden State, me 27 pikë, 8 topa në tabela, 7 asistë e dy vjedhje topi.
Si shpesh herë, nuk mbeti prapa Stephen Curry që shtoi 24 pikë, 4 tabela, 5 asistë e 2 vjedhje topi. Thompsoni kaloi shifrën e 200 gjuajtjeve të realizuara për tri pikë, dhe ky ishte sezoni i 7-të në karrierë që e bën.
Këtë rekord historik në NBA ai e ndan tani me shokun e ekipit, Curry. James Harden shënoi 29 pikë për Houstonin, kapi 3 topa në tabela e shërbeu 10 asistë, por gaboi shumë për tri pikë. Golden State mbetet në vend të parë në Konferencën Perëndimore./abcnews.al