Golden State reagoi shpejt në basketbollin amerikan, duke arritur një sukses të rëndësishëm në Sacramento. Kampionët në fuqi, pavarësisht luhatjeve, mbeten pranë kreut.
Përgjigjia më e mirë pas një humbjeje, është fitorja. Kështu bëri edhe Golden State, madje në fushën e një skuadre shumë të mirë si Sakramento. Disfata me Toronton ishte tepër e hidhur, pasi ishte e thellë, brenda një shtëpi dhe ndaj një rivali për titull, por gjithsesi kampionët e dinë se sezoni do të jetë i gjatë. Përfundoi 130-125, në një sfidë tepër të fortë, ku Golden State kryesoi në pjesën më të madhe të kohës, por thuajse i shpëtoi ndeshja nga duart. U desh një rezultat i pjesshëm 17-2, në 3 minutat e fundit, që të arrihej fitorja e 20-të e edicionit.
Suksesi u arrit më së shumti falë treshes së madhe.
Stephen Curry shënoi 35 pikë, pati 7 topa në tabela dhe 6 pasime për kosh, kapiteni Clay Thompson shënoi 27 pikë, ndërsa Kevin Duranti e mbylli takimin me 33 pikë, 8 topa në tabela e 8 asistë. Nuk duhet harruar edhe Draymond Green, i cili vërtet shënoi pak pikë, por kontribuoi me 14 topa në tabela dhe 10 pasime për kosh. Sacramento tregoi se ka bërë përparim të madh, duke u matur si e barabartë me kampionët, ndonëse ende i mungon përvoja për gjëra të mëdha.
Gjithsesi, Golden State u shfaq shumë më i vendosur dhe i freskët fizikisht sesa ndaj Torontos, kur humbi me 20 pikë diferencë. Tashmë, kampionët kanë 20 fitore e 10 humbje, dhe janë në vendin e dytë në Perëndim, me vetëm 1 humbje më shumë sesa Denveri./abcnews.al