Golden State fiton duelin e parë

schedule15:08 - 29 Prill, 2019

schedule 15:08 - 29 Prill, 2019

Golden State fitoi duelin e parë të plej ofit ndaj Houston-it në basketbollin amerikan. Një duel i madh u zhvillua mes yjeve Kevin Durant dhe James Harden.

Një përballje e denjë për finalen e madhe. Për fat të keq, Golden State-Houston duhet të luhet në raundin e dytë të plej ofit në NBA, një gjysmëfinale e Konferencës Perëndimore.

Dueli i parë shkoi në favor të vendasve, kampionë në fuqi dhe që do të kenë favorin e faktorit fushë në ndeshjen e shtatë, nëse do të jetë e nevojshme.

Shifrat ishin 104-100.

Në një përballje të nivelit më të lartë të mundshëm që ofron basketbolli amerikan, pati aksione dhe kosha të mrekullueshëm, si dhe një duel të dy yjeve kryesorë, Kevin Durantit të Golden State dhe James Hardenit të Houstonit.

Dy kampionët ishin barabar me pikë, duke shënuar secili nga 35, ndonëse Duranti ishte më shumë minuta në parket. Kontributi i tyre ishte thuajse i barabartë edhe në elementët e tjerë të basketbollit.

Duranti kapi 5 topa në tabela, shërbeu 3 asistë, vodhi një top e bllokoi një gjuajtje. Harden u përgjigj me 4 topa në tabela, 6 pasime për kosh dhe 3 vjedhje.

Golden State pati ndihmë të madhe nga lojtarët e tjerë të formacionit, si Stephen Curry, Clay Tompson, Dreymond Green e Andre Iguodala. Houstoni ndërkaq mundi t’i përgjigjej vetëm me Kris Polin dhe Erik Gordonin.

Gjithsesi, miqtë nga Teksasi u ankuan për gjykimin duke akuzuar arbitrat se nuk ndëshkuan lojën e rëndë të lojtarëve nga Kalifornia. Ndeshja e dytë do të luhet po në fushën e Golden State, duke u gdhirë e mërkura me orën e Shqipërisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!