Janë tepër të veçantë dhe të vjetër ndoshta sa vetë futbollit. Golat me roveshatë i kanë shënuar legjenda si Marko Van Basten, Garet Bejl në finalen e Championsit, Real-Liverpul, apo edhe të tillë si Filip Mekse apo Mauro Bresan.
Një nga interpretimet më spektakolare dhe më të vështirë të futbollit, ka edhe rekordin e tij, i cili progresivisht ka ecur përpara, të paktën për aq kohë sa janë bërë matje e janë mbajtur statistikat.
Kanë kaluar tetë vjet e gjysmë që nga rrjeta historike e Kristiano Ronaldos, kur me fanelën e Realit realizoi në portën e Juventusit në “Alianc Stadium” të Torinos, dhe ky rekord është thyer dy herë.
Në fund të shtatorit ia doli sulmuesi nga Nigeria, Pol Ebere Onuaçu, që goditi shkëlqyeshëm për Trabzonsporin ndaj Karagymrykut në Superligën e Turqisë, dhe lartësia e këmbës së tij në momentin e goditjes ishte 2.41 metra, ndërsa e Kristianos 2.38 metra.
Sidoqoftë, “steka” qendroi shumë pak aty.
Mbrëmjen e 18 nëntorit, pra fare pak ditë më parë, Skot Mektominai shënoi një gol që do të mbahet mend gjatë.
Që në minutën e tretë, ylli i sotëm i Napolit dhe ish-lojtar i Mançester Junajtidit, realizoi një roveshatë për 1-0.
Skocia fitoi 4-2 dhe shkoi direkt në Kupën e Botës, ndërsa matjet treguan se Mektominai ka vendosur rekordin e ri të lartësisë së goditjes së topit në roveshatë.
Ky rekord tani qëndron në 2.53 metra. Ndoshta, do të duhet shumë kohë që të thyhet.
Sidoqoftë, ka një tjetër roveshatë, e cila ndoshta është me e bukura, ndonëse nuk ka rekordin e lartësisë. Zlatan Ibrahimoviç realizoi kështu ndaj Anglisë dhe besohet se kapiteni suedez ka rekordin e largësisë nga porta dhe të shkallës së vështirësisë.

