Gol jubilar, Ibraimi arrin kuotën e 200 golave në elitën e futbollit maqedonas

schedule21:56 - 2 Maj, 2024

schedule 21:56 - 2 Maj, 2024

Besart Ibraimi ka shkruar historinë në Maqedoninë e Veriut, ku aktualisht aktivizohet me Strugën. Sulmuesi 37-vjeçar prej vitit 2019 është shënuesi më i mirë në historinë e ligës së parë të Maqedonisë së Veriut, por së fundmi, sulmuesi ka arritur që të realizojë golin e tij të 200-të në kampionat.

Shifra jubilare u arrit në përballjen e javës së 30-të mes Tikves dhe Strugës, ku Ibraimi ishte autor i 2 golave, por fatkeqësisht Struga doli duarbosh nga kjo përballje. Pavarësisht rezultatit për 37-vjeçarin kjo ndeshje do të mbahet mend gjatë. Në karrierën e tij Ibraimi ka luajtur krahas Strugës dhe me Vlaznimin, Napredokun, Renovën dhe Shkëndijë, teksa me kuqezinjtë ka dhënë kontributin më të madh.

Falë golave të Ibraimit, Struga është në garë për titullin kampion, teksa 3 javë para fundit skuadra që drejtohet nga Shpëtim Duro është në kuotë të barabartë pikësh, plot 58 të tilla me Shkupin dhe Shkëndijën. Gara në Maqedoninë e Veriut pritet që të jetë spektakolare, teksa në tre javët që kanë mbetur tre skuadrat kryesuese do të përballen me njëra-tjetrën. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!