Lazio luajti bukur dhe fitoi pastër 4-0 kundër Genoas në Olimpico. Milinkovic Savic, Radu, Caicedo dhe Immobile ishin autorët e golave që dërguan bardhekaltrit në vend të gjashtë me 10 pikë.
Një gjest i bukur ka ndodhur gjatë kësaj ndeshje. Ciro Immobile dhe Simone Inzaghi kanë patur probleme gjatë kësaj periudhe. Gjithçka nisi në përballjen Lazio-Parma. Trajneri vendosi të ndërrojë sulmuesin dhe ky i fundit u tërbua nga një vendim i tillë.
Debati mes palëve nuk mungoi, por e gjitha është lënë pas krahëve. Immobile shënoi golin e katërt ndeshjen e djeshme dhe festën e ndau me Simone Inzaghin. Një skenë e bukur në Olimpico dhe sërish paqe mes palëve.
Immobile vrapoi për të përqafuar trajnerin e tij, me të cilin e pranon se ka një lidhje speciale. “Më vjen keq për atë që ndodhi në ndeshjen me Parmën, por janë gjëra që ndodhin në futboll. Trajneri është si një vëlla i madh për mua dhe nuk e them për retorikë. Kam tentuar të jap gjithmonë maksimumin. Kam kërkuar falje për ‘shpërthimin’ tim, por isha i vërtetë në atë situatë”, thekson Ciro Immobile, i cili gjeti rrugën e rrjetës për herë të nëntë në këtë sezon. /abcnews.al