Mario Goetze zgjodhi verën e kaluar të vijojë karrierën te PSV. Fantazisti gjerman ka shënuar 6 gola këtë sezon, prej të cilëvë dy u realizuan në fitoren 3-1 përballë Vitesse në fundjavë (sfidë ku gjeti golin edhe Armando Broja për ekipin mik).
Nesër luhet takimi i kthimit të raundit të 1/16 të Europa League kundër Olympiacos. Grekët fituan 4-2 takimin e parë, por Goetze beson te kualifikimi dhe karikon shokët e skuadrës në konferencën për shtypin.
“Duhet të besojmë se ne jemi gjithmonë në gjendje për të shënuar 2-3 gola, edhe nëse kanë mbetur vetëm 10 minuta lojë. Çdo detaj i ndeshjes ka rëndësi, pa harruar faktin që nuk kemi gabuar asgjë në fushën tonë prej fillimit të sezonit.
Jemi në vend të dytë në kampionat dhe nesër mund të kualifikohemi kundër Olympiacos. Kemi lënë pas krahëve sfida fantastike, por është normale që nuk mund të jemi në çdo moment të maksimumin e formës tonë.
Jemi në lojë, sezoni ynë nuk ka përfunduar akoma. Kur të ndodhë një gjë e tillë, atëherë edhe ne do të nxjerrim konkluzionet tona“, thekson ylli gjerman i skuadrës holandeze. /abcnews.al