Nga Erblina Mile
Bizneset shqiptare i bëjnë apel qeverisë të pezullojë detyrimet fiskale deri në përfundim të periudhës së pandemisë.
Kryetari Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka deklaron se sipërmarrjet nuk kanë mundësi financiare të përballojnë këtë situatë. Ndërsa një tjetër shqetësim mbetet edhe pagesa e gjobave apo kamatvonesave.
“Duhet të kërkohet një pezullim, është minimumi që mund të bëjë qeveria shqiptare. Të paktën deri në fund të pandemisë të pezullojë të gjithë detyrimet e prapambetura dhe akti tjetër i dialogut dhe bashkëpunimit dhe dakordësisë mes palëve është se nëse kompanitë bien dakord që të paguajnë në kohë detyrimet dhe gjobat le të hiqen kamat vonesat. Sepse kamat vonesat dhe gjobat janë më të mëdha sesa vete detyrimi, nuk ka sens. Është tjetër kur një kompani shpërdoron fondet dhe të ardhurat dhe është tjetër kur pamundësia e bën të mos paguajë detyrimet”, ka thënë Jaka.
Vendet e rajonit por edhe ato europiane kanë marrë masa në këtë drejtim duke pezulluar detyrimet deri në stabilizim të situatës. Sipas kreut të Dhomës së Tregtisë kjo krijon pabarazi të fortë për ekonominë shqiptare.
“Në vendet e tjera të rajonit është pezulluar ndërsa në Shqipëri jo akoma”, ka thënë ai.
Më herët kanë qenë fasonët që kanë bërë apel për falje të gjobave dhe kamat vonesave, ndërsa brenda kësaj jave pritet që të kenë një takim me ministren e financave për të diskutuar në lidhje me problemet që po hasin./abcnews.al