Diego Godin donte një sfidë të re dhe nga Atletico e Madridit u transferua tek Interi. Në Spanjë la shiritin e kapiteni, por sërish mbrojtësi ndihet i rëndësishëm. “A ndihem lider? Jo, jam vetëm një lojtar që sapo kam nisur një eksperiencë të re. Sigurisht që ndihem i rëndësishëm. Të gjithë e dinë rrugën time, por nuk ka nevojë të jesh kapiten për të biseduar me skuadrën”, është shprehur mbrojtësi ndër të tjera në një intervistë të dhënë për “Marca”.
SERIE A DHE JUVENTUSI – Godin mendon se kampionati italian është shumë fizik, ndërkohë që komenton edhe përballjen me Juventusin. “Serie A më duket një kampionat më shumë fizik se sa taktik. Janë të shumta skuadrat që mendojnë të luajnë dhe të shënojnë sa më shumë gola. Sfida me Juvetusin do të jetë shumë e vështirë. Ata dominojnë prej vitesh, janë të fortë dhe kanë një grup të gjerë me lojtarë kualitativë. Gjithsesi ne do të provojmë shanset tona”.
CONTE DHE SENSI – Mbrojtësi flet për trajnerin Antonio Conte dhe atë që e ka befasuar në ekip: “Sensi më ka shtangur, nuk e njihja. Është shumë i mirë me të dyja këmbët dhe e përdor shumë mirë trupin, pavarësisht se është i shkurtër. Conte është shumë i ngjashëm me Simeonen, ka shumë personalitet si trajner”.
MILANO DHE MBROJTJA ME TRE – Godin ka gjetur shokët në ekip dhe po e ndihmojnë goxha: “Nuk kam pasur mundësinë ta vizitoj akoma Milanon. Kam një bashkatdhetar në ekip si Vecino, plus edhe Borja Valero. të dy m’i kanë bërë gjërat më të lehta dhe jam shumë i lumtur.
Sa i takon modulit me tre mbrojtës, uruguaiani thotë: “Gjatë verës kemi punuar shumë me këtë sistem. Conte më ka kërkuar të ruaj topin dhe të zhvendos lojën. Është një detyrë ndryshe nga ajo që bëja në Madrid. Gjithsesi mendoj se e kam inteligjencën për ta bërë.
KRAHASIMI ME ATLETICON – Godin, mes të tjerash gjatë intervistës e ka rrahuar Interin me Atleticon e vitit 2014. Një nga arsyet është uniteti që zikaltrit kanë. “Krahasimi me Atleticon e vitit 2014? E bëra atë krahasim sepse ka disa pika të përbashkëta. Grupi në dhomat e zhveshjes është shumë i bashkuar”, është shprehur mbrojtësi 33-vjeçar. /abcnews.al