Sot në mbrëmje, në orën 21:00, do të luhen katër ndeshje të vlefshme për gjysmëfinalet e Europa League dhe Conference League.
Në Europa League, Roma do të presë në Olimpico gjermanët e Bayer Leverkusen. Kjo ndeshje pritet të jetë emocionuese dhe tepër e fortë pasi të dyja skuadrat kanë kapacitetin të shkojnë në finalen e këtij kompeticioni. Mourinho do të tentojë për të dytën herë radhazi të shkojë në finalen e një kompeticioni evropian, pasi vitin e kaluar ata luajtën në finalen e Conference League kundër Feyenoord në Tiranë, finale të cilët e fituan. Nga ana tjetër, Leverkusen është gjithashtu një ekip me kapacitet të lartë. Të dyja skuadrat janë pothuajse në të njëjtin nivel, por Roma shpreson te fitorja duke pasur parasysh efektin fushë dhe faktin që kanë në pankinë një trajner si Jose Mourinho.
Sfida tjetër gjysmëfinale në këtë kompeticion është ajo mes Juventusit dhe Sevilla. Një ndeshje e vështirë për bardhezinjtë pasi do të kenë përballë spanjollët të cilët e kanë fituar disa herë këtë kompeticion. Sevilla nuk ka qenë në një formë të mirë këtë sezon në ligën spanjolle, por ndeshjet e fundit ata e kanë marrë veten duke regjistruar 4 fitore në pesë ndeshjet e fundit në La Liga. Nga ana tjetër, Juventus vjen nga dy fitore radhazi në Serie A dhe aktualisht ndodhen në vendin e dytë, edhe pse për ta mbajtur këtë pozicion në renditje duhet besim dhe forcë pasi ekipet e tjera po vijnë nga pas.
Roma dhe Juventus shpresojnë te fitorja dhe te sigurimi i biletës së finales, për të pasur kështu një finale italiane në fund.
Në Conference League, Fiorentina do të presë në Firence ekipin zvicerian të Baselit. “La Viola” ka pasur një rrugëtim të mirë deri më tani në këtë kompeticion duke shpresuar kështu një finale evropiane dhe pse jo për ta fituar. Një sfidë që stadiumi italian sot mund të shijojë disa gola, pasi të dyja skuadrat janë të aftë për të shënuar.
Ndeshje interesante do të jetë edhe gjysmëfinalja tjetër e këtij kompeticioni, me West Ham i cili do të presë në shtëpi holandezët e AZ Alkmaar. Një përballje tepër e fortë, edhe pse pretendohet se favoritë janë anglezët./ h.ll/abcnews.al