Gjyqtari italian dhe gjyqtarët shqiptarë

schedule23:48 - 11 Gusht, 2022

schedule 23:48 - 11 Gusht, 2022

Nga Agim Baçi

Dy ditë më parë mediat raportuan për vetëvrasjen e një 27-veçareje shqiptare në qelitë italiane, përmes thithjes së gazit nga bombola. Ishi të shumta mediat që fokusoheshin te letra që ajo kish dërguar si lamtumirë nga kjo botë të dashurit, teksa po e tradhtonte dashurinë e tij me aktin ekstrem. Por mjaft media duket se pak arritën të veçojnë letrën që gjyqtari italian i Gjykatës së  Veronës, Vincenzo Semeraro, që kish ndjekur çështjen, i kish çuar priftit gjatë meshës së lamtumirës për vajzën. Ishte një letër ku gjyqtari shprehej i penduar që nuk kish arritur të gjente rrugën më të mirë për të shpëtuar vajzën, e cila luftonte në betejë me drogën. Në letër gjyqtari ndjehej fajtor që sistemi i drejtësisë, ku ai bënte pjesë, kish dështuar për t’i dhënë dorën reale të ringritjes. “Ne jemi njerëz përpara se të jemi gjyqtarë. Dhe unë, si magjistrat, por mbi të gjitha si burrë, e ndjej që kam dështuar tani që një vajzë 27 -vjeçare, me dosjen e së cilës jam njohur që në vitin 2016, u vetëvra në burg…Pra, si sistemi, dhe unë, kemi dështuar”.

Letra e gjyqtarit, aq njerëzore, me aq përgjegjësi, duhet të na sjellë sërish disa pyetje:  po gjyqtarët tanë, apo të gjithë ata që bëjnë pjesë në hallkat e tjera të drejtësisë, a janë shqetësuar ndonjëherë për atë që nuk bënë dot si duhet, a janë penduar që nuk panë njeriun te personi në bangën e të akuzuarve? Nuk po flas këtu për ata gjyqtarë të emëruar në diktaturë nga partia direkt nga kooperativa në sallën e gjyqit. Ata do të mbeten gjynahqarë që nuk e dinë se ç’është pendimi, ç’është falja. Asnjë prej tyre, përveç Bedri Spahiut, që provoi dhe vetë burgjet e diktaturës, nuk kërkoi ndjesë që çoi në pushkatime apo dënime të njëpasnjëshme mjaft qytetar shqiptarë, pa fakte, pa prova, por vetëm se deshi partia që ata e besonin verbërisht. Jo, të tillë njerëz, nuk mund të pendohen, pasi as ideatorët e tyre nuk u penduan kurrë për ç’ka i bënë bashkëqytetarëve të tyre, ndaj ata nuk mund t’i tradhëtonin me pendesë. Për ironi, gjyqtarë ish-kooperativistë u lanë në punë edhe pas vitit 1992, madje në Gjykatën Kushtetuese e Gjykatën e Lartë, edhe pse teorikisht sistemi nuk ish më ai i drejtësisë sipas dëshirës së partisë.

Për fat të keq, një gjyqtar i tillë, që t’i drejtohet publikut për atë që nuk bëri dot, apo që nuk e bëri në kohën duhur, nuk e kemi parë as nga ai brez që u shkollua pas vitit 1990. Duket sikur helmi i gjyqtarë johumanë, që vijojnë të japin mësim në shkolla, apo të kishin pushtet në drejtësi, instaloi sërish varësinë politike, që duket se i pëlqeu dhe vetë pushtetit, që në këto 32 vite kërkoi ta mbante drejtësinë për vete. E ne sot habitemi se përse SPAK-u, përse gjykatat e specializuara nuk guxojnë të hetojnë dhe dënojnë njerëzit e pushtetit. Fare e thjeshtë – ata kanë trashëguar varësinë nga pushteti dhe e vetmja kartë që u ka mbetur është të ndëshkojnë të varfërit, të pambrojturit, ata që nuk kanë asnjë lidhje politike. Ndaj ne nuk kishim askënd nga drejtësia që të kërkonte falje për vetëvrasjet që ndodhën në qeli disa vite më parë për shkak se u dënuan për mospagim dritash. Ne nuk mund të kemi sot asnjë gjyqtar që të marrë nën hetim personat që lanë në varfëri vetëvrasëse 48-vjeçarin Fatos Çollaku në Librazhd, edhe pse kryeministri ynë krenohet plot arrogancë se nuk ka vdekur askush për bukë. Po tani që ka ndodhur, a ka një prokuror, një gjyqtar, që të dënojë ata që shpërfillën detyrimin e tyre ligjor për të shmangur vetëvrasjen e një njeriu që u vetëvra sepse nuk kish mundësi të paguante ujë dhe drita e që të ushqehej të paktën një vakt në ditë?

…Letra e gjyqtarit italian është letra e një njeriu, që kërkon të gjejë brenda vetes pendimin se përse nuk mundi të bëjë diçka më shumë që vajza shqiptare të mos zgjidhte të tradhtonte jetën. Letra e një gjyqtari që vetëfajësohet kaq njerëzisht është njëkohësisht hendeku ynë i madh me njerëzoren që kemi humbur në shoqërinë tonë. Fatkeqësisht, dehumanizmi që trashëguam nga diktatura ka arritur të helmojnë këto ndjesi kaq njerëzore. Dhe ata politikanë që lejuan gjyqtarët e diktaturës të ishin në fushën e së drejtës, kur vetëm me të drejtën nuk kishin të bënin, duhet të paktën të kërkojnë ndjesë se përse shqiptarët e kanë drejtësinë më të rëndë se sa Sizifi ngritjen e gurit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!