Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka paditur qeverinë, pasi kjo e fundit më 12 qershor u hoqi të drejtën për t’u pajisur me pasaporta shërbimi. Padia është dorëzuar në gjykatën Administrative, ndërsa pritet që me short të përzgjidhet trupa gjykuese dhe të publikohet data e seancës.
Në padinë e bërë shoqata e gjyqtarëve të Shqipërisë rendit argumentat, kundër Vendimit të Këshillit të Ministrave.
Sipas gjyqtarëve, kjo e drejtë atyre u lind nga neni 138 i Kushtetutës, i cili shpjegon statusin e tyre, duke garantuar përfitimet dhe të drejtat që u rrjedhin nga ky status. Një tjetër argument i gjyqtarëve lidhet me rritjen e kostos së marrjes së vizave, tek vendet të cilat kërkojnë vizë.
Këtë të drejtë gjyqtarët e të gjitha shkallëve të gjyqësorit e gëzonin prej 2 shtatorit 1997./ABC News Albania 24/7