Gjykata e Apelit do të vendosë brenda 15 ditësh për lobimin rus për kreun e PD Lulzim Basha, pas shqyrtimit të dokumentacioneve të vëna në dispozicion dhe pa prezencën e palëve.
Avokati i kryedemokratit Basha, Eduart Halimi ka deklaruar jashtë dyerve të gjykatës se vendimi do të bëhet me dije në një njoftim të dytë.
Ai tha se ky vendim erdhi, pasi palët nuk paraqitën prova në seancën e sotme.
“Trupi gjykues të aplikojnë nenin 329, pika 7. Do marrë një vendim pa dëgjuar palët, duke shqyrtuar vetëm dokumentacionin.
Në Gjykatën e Apelit nuk ka nevojë të bëhet debat po do shqyrtohet brenda 15 ditësh. Ky është vendimi që mori sot gjykata pasi dëgjoi palët, dhe prova nuk kishte. Gjykata do njoftojë palët për vendimin në një moment të dytë”, tha Halimi.
Gjyqi ndaj Bashës u pushua në Gjykatën e Tiranës. Kërkesa për gjykim, u firmos nga prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergj Tako, ndërsa prokurori i tretë, Kol Hysenaj, ka refuzuar ta firmosë atë.
Prokurori Hysenaj ka qenë i mendimit se hetimet duheshin vijuar, ndërsa kolegët e tij firmosën që çështja të dërgohej për gjykim. /abcnews.al