Gjyqi me Kushin, Vokshi: Mësuesit janë të survejuar nga patronazhistët, kërcënohen me vendin e punës

schedule11:15 - 28 Shtator, 2022

schedule 11:15 - 28 Shtator, 2022

Deputetja Albana Vokshi ka folur për mediet pas daljes nga seanca gjyqësore, e paditur nga ministrja e Arsimit Evis Kushi, pas denoncimit të bërë në Facebook për daljen tezës së vlerësimit për mësuesit në sistemin parauniversitar.

Më 7 prill, Vokshi denoncoi ministrinë e Arsimit se kishte publikuar  tezën e provimit për vlerësimin e mësuesve në arsimin parauniversitar.

Sipas Vokshi në celularin e saj kishte mbërritur një mesazh denoncues nga një mësuese nga Elbasani.

Menjëherë pas denoncimit të Vokshit, reagoi ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e cila edhe ngriti një padi për shpifje.

Ditën e sotme, para medieve, Vokshi tha se paditë që i bëhen asaj kanë si qëllim që t’i mbyllin gojën opozitës për të denoncuar skandale dhe korrupsione, por sipas deputetes kjo është e kotë.

Vokshi: Sot u zhvillua seanca, ishte seanca e parë që shqyrtoheshin provat, ose duheshin të shqyrtoheshin provat që kishte sjellë përfaqësuesi i ministres Kushi, e cila edhe sot nuk u paraqit në Gjykatë. Edhe sot u vërtetua, duke parë edhe provat që u vunë në dispozicion, që koha i ka dhënë të drejtë mësues për skandalin që po ndodhte në provimin e vlerësuesve të arsimit parauniversitar. Nuk kishte asgjë në prova, kishte vetëm disa shkrime në media të ndryshme të cilët kishin publikuar statusin që unë kisha publikuar pas denoncimit të mësueses. Edhe unë vura në dispozicion provat dhe mesazhin që më ka ardhur nga një mësuese e Elbasanit më 7 prill.

“Dua të denoncoj një skandal, por ju lutem jeni e ndjeshme në këto tema, ndaj mos më nxirrni se më heqin nga puna.”

Kjo të bën të kuptosh cili është statusi i mësuesve. Ata nuk guxojnë të flasin, janë të survejuar nga patronazhistët, janë të kërcënuar me vendin e punës. Mësuesi gjen mënyrën për të denoncuar një skandal tek përfaqësuesit e një partie. Ministrja në vend të krijonte një grup pune dhe të vinte para drejtësisë të gjithë ata që kishin nxjerrë testet, ministrja më paditi në Gjykatë. Unë do të vazhdoj të jem zëri i çdo mësuesi sepse situata në sistemin arsimor është ulëritëse.

Kemi një qeveri që kryesohet nga një i paditu dhe që nuk e do arsimin, urën arsimin dhe edukimin.

/Abcnews.al/