Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijon gjyqi për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, ku pritet ndër të tjera që pas njoftimeve për prova të reja mund të ndryshohen votat e senatorëve republikanë lidhur me dëshmitarët e mundshëm, nga fundi i kësaj jave.
Mediat amerikane raportojnë se ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton ka pohuar se zoti Trump i ka thënë personalisht se e kishte kushtëzuar ndihmën për Ukrainën me një hetim të rivalëve të tij politikë. Kjo mund të jetë një pike kthese në çështjen për shkarkim.
Bolton ditët e fundit është vënë në qendër të vëmendjes pasi në një libër ende të pabotuar të tij, pjesë të të cilit dolën në shtyp, pretendon se një dëshmi e tij do të konfirmonte akuzat për abuzim me pushtetin kundër Presidentit Trump.
“Jo vetëm që ka prova të mëtejshme që presidenti bllokoi ndihmën për të përfituar politikisht dhe kërkuar hetim, por duket se ka një përpjekje gjigande për të fshehur këtë të vërtetë mes kaq shumë njerëzve me peshë në Shtëpinë e Bardhë, që e dinin dhe nuk thanë asgjë, jo më të përpiqeshin ta ndalnin. Edhe nëse kishte ndonjë fije logjike në vendimin për të mos dëgjuar dëshmitarë dhe shqyrtuar dokumente, libri i zotit Bolton, e rrëzoi atë”, tha senatori Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës demokrare në Senat.
Por në ditën e dytë të argumentave të ekipit të mbrojtjes së Presidentit, avokatët e tij, u morën vetëm indirekt me pretendimet e zotit Bolton.
“Ne merremi me provat e përfshira në transcript, me informacionin publik. Nuk merremi me spekullimet që nuk bazohen në standardet për provat”, tha Jay Sekuloë, këshilltar ligjor i Shtëpisë së Bardhë. Ndërsa presidenti Donald Trump ka hedhur plotësisht poshtë cdo akuze./abcnews.al

