Gjylameti: Nuk kemi vendosur për heqjen e taksës për qumështin pluhur, prioritetet për 2022

schedule12:46 - 12 Nëntor, 2021

schedule 12:46 - 12 Nëntor, 2021

Deputetja Blerina Gjylameti, anëtare e Komisionit të Ekonomisë, deklaroi në “ABC Live” me gazetaren Juli Xhokaxhi se ende nuk është marrë asnjë lloj vendimi në lidhje me taksën e qumështit pluhur. Ajo u shpreh se janë ende në fazën e konsultimit duke theksuar se taksa nuk është hequr.

“Nuk kemi marrë asnjë lloj vendimi për qumështin pluhur në komisionin e ekonomisë. Ne jemi ende në fazën e konsultimit. Nuk është hequr taksa për qumështin pluhur. Përfaqësuesit e industrisë kanë ardhur dhe kanë dhënë dakordësinë e tyre. Kërkohet monitorim i tregut. Në komisionin e ekonomisë ka pasur debate dhe ka pasur edhe ndryshime të paketave fiskale. Në këto dy vite ekonomia shqiptare është goditur mjaftueshëm”, deklaroi Gjylameti.

Gjylameti tha se me buxhetin e vitit 2022 synohet mbështetje e shtuar për shtresat në nevojë. Ajo tha se do të tentohet që disa kategori të nxirren nga skema e ndihmës ekonomike për t’i “rehabilituar” në skemën e punësimit për të gjeneruar kështu sipas saj, në shumë të ardhura për të përballuar nevojat reale.

“Ky si buxhet vazhdon mbështetjen për shtresat në nevojë. Është në shtim për shtresat në nevojë. Vazhdon mbështetja për biznesin e vogël. Edhe pagesa për papunësinë vazhdon të jetë zë i konsiderueshëm në buxhetin e vitit 2022. Sot për sot duhet të përgjigjemi me këtë mënyrë.  Duke i nxjerrë nga skema e mbështetjes ekonomike për t’i futur në skemën e punësimit. Ka një rritje për gratë kryefamiljare për pjesën e ndihmës ekonomike.  Por sado të jetë pagesa nuk i mbulon nevojat reale.

Prandaj synojmë të kalojmë drejt punësimit.  Sivjet ka pasur një ndryshim në ligjin organik për buxhetin. Do shikohet në trend rënës të borxhit publik.  Një element që duhet përmendur për mbështetjen e sektorëve që prodhojnë rritje ekonomikë. Sektori i Bujqësisë është me mbështetje të rritur. Një element që duhet pasur parasysh është që bashkëbisedimi mund të na bëjë të kemi adresuar politikat shumë më mirë. Edhe pse komisionet dëgjojnë dhe votojnë në mënyrë politike, jemi aty për të votuar buxhetin ose për të bërë ndryshimet përkatëse”, u shpreh Gjylameti. m.v/Abcnews.al