Proces i gjatë gjyqësor pritet nga e hëna në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Avokatë e monitorues të këtij procesi konsiderojnë se bazuar në numrin e madh të dëshmive, të cilat synon t’i paraqesë prokuroria, ekzistojnë shqetësime se do të shkelet parimi i gjykimit brenda afatit të arsyeshëm. Të njëjtit theksojnë për KosovaPress se është e nevojshme që trupi gjykues të eliminojë disa prova.
Avokati i akredituar në Gjykatën Speciale, Artan Qerkini, thotë se kërkojnë që për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin të ketë proces të drejtë dhe efikas.
Monitoruesi i këtij procesi gjyqësor nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Amer Aliaj tha se pas më shumë se dy vitesh prej procedurës paraprake nga e hëna do të dëgjohen fjalët hyrëse në procedurën kundër Thaçit dhe të tjerëve.
Ai shtoi se Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi prej një kohe të gjatë janë në paraburgim prandaj presin një proces efikas.
Aliaj tha se monitoruesit dhe gazetarët nuk do të mund t’u qasen informatave të plota në këtë proces për shkak të redaktimeve të shumta.
Ky proces gjyqësor, avokati Qerkini thotë se do të jetë i gjatë dhe për këtë duhet të intervenojë trupi gjykues.
Deri më tani në paraburgim, nën pretendimin për krime lufte në Hagë po mbahen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi. Për të katërtit, Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, ka pritje se procesi do të zgjasë.
Para fillimit të gjykimit, do të mbahen protesta me thirrje për drejtësi.
Do të ketë marsh në Prishtinë (më 2 prill) dhe protestë paqësore në Hagë të Holandës (më 3 prill).
Për Xhavit Jasharin nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, ish-krerët e UÇK-së do të kthehen të pafajshëm.
Jashari u bën thirrje të gjitha partive politike që t’i bashkohen marshit për drejtësi, i cili do të mbahet nesër në sheshet e kryeqytetit.
Ish-krerët e UCK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Zyra e Prokurorisë së Specializuar pretendon se të njëjtit kanë kryer krime lufte. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedures paraprake.
/KosovaPress/