Zyra e Prokurorit të Specializuar deklaroi se fillimi i gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqit të nisë në shtator të vitit 2021. Kjo kërkesë u bë përmes një parashtrese drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake lidhur me konferencën e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj Thaçit e të tjerëve. Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se ka adaptuar qasje proaktive dhe rigoroze të zbulimit të provave në mënyrë që gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve të fillojë në shtator 2021.
“ZPS ka përshkruar, këtu dhe më parë, qasjen proaktive dhe rigoroze që ka adoptuar në drejtim të zbulimit të provave, një mënyrë që do të lejojë që gjyqi të fillojë në shtator 2021”, thuhet në pikën e 19’të të kësaj shkrese.
Më tej thuhet se ky regjim kërkues po ndërmerret në interes të përmbushjes së detyrimeve ligjore të një date të gjykimit të drejtë dhe të shpejtë. Sipas ZPS-së, orari i përshkruar lejon për shumë muaj përgatitje të mbrojtjes dhe hetim paraprak për një çështje të përcaktuar qartë.
“Orari i përshkruar lejon shumë muaj përgatitje të mbrojtjes dhe hetim paraprak për një çështje të përcaktuar qartë, ndërkohë që njeh interesat themelorë të viktimave dhe dëshmitarëve dhe të drejtësisë, në uljen e rreziqeve të ndërhyrjeve dhe frikësimeve të natyrshme në një gjykim të zgjatur”, thuhet në këtë shkresë.
“Sidoqoftë, mbrojtja në mënyrë të përsëritur është përpjekur të karakterizojë afatin kohor si një përpjekje për të minuar një gjykim të drejtë, duke pretenduar se gjyqi nuk mund të fillojë për një minimum prej 18 muajsh nga fillimi i 2021, dhe me gjasë edhe më i gjatë”, thuhet në shkresë të ZPS-së.
Të enjten pritet të mbahet konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit në Hagë, e cila pritet të nisë në ora 11:00. / Gazeta Ekspres