Haga: Thaçi pengoi drejtësinë/ Gjykata Speciale, akuza të reja ndaj ish-presidentit të Kosovës

schedule20:44 - 6 Dhjetor, 2024

schedule 20:44 - 6 Dhjetor, 2024

Gjykata Speciale në Hagë ka ngritur akuzë të re ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Tani ai akuzohet edhe për vepra penale që lidhen me pengim të drejtësisë. Për të njëjtat vepra, siç ka njoftuar Gjykata Speciale ne Hage  të premten, janë arrestuar edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Fazliu. Ndërsa për Hajredin Kuçi është lëshuar fletëthirrje për paraqitje.

Siç bëhet e ditur në njoftim, Thaçit që tashme ndodhet në paraburgim i është dorëzuar një fletëarrestim dhe ndaj tij janë ngritur tri akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tre akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Tek ka njoftuar për arrestimin e Smakajt, Kilajt dhe Fazliut, Specialja ka bërë të ditur se ata janë transferuar në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe se paraqitjen e parë para gjykatës do ta kenë të dielën e 8 dhjetorit. Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefi i Agjencise se Inteligjences se Kosoves -së, Bashkim Smakaj e ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu, u arrestuan të enjten.

Sipas aktakuzës, në periudhën midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave në objektin e paraburgimit, Thaçi dyshohet se u ka dhënë Smakajt, Kilajt, Fazliut e Kuçiq “informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”.

“Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyres se Prokurorit te Specializuar në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”, thuhet në njoftim.

Në aktakuzën e publikuar nga Gjykata  Speciale jepen detaje për “funksionimin e tri grupeve të Thaçit”.

Sipas saj, Thaçi në vizita u kishte dhënë informata të akuzuarve të tjerë në këtë rast se si t’i përcillnin mesazhe dëshmitarëve për të dhënë dëshmi. Aty thuhet se të akuzuarit kanë konfirmuar apo janë pajtuar me instruksionet e Thaçit për pengim të drejtësisë.

Specialja në aktakuzë i ka ndarë grupet në: Grupin “Smakaj”, “Fazliu” dhe “Kilaj”. Në të theksohet se Grupi “Smakaj” përbëhej nga ish-këshilltarët e Thaçit, Bashkim Smakaj, Artan Behrami dhe Blerim Shala. Ndërsa Grupi “Kilaj” përbëhej prej Isni Kilajt dhe Vllaznim Kryeziut dhe Grupi “Fazliu” nga Fadil e Fahri Fazliu.

Po ashtu aty thuhet se më 30 tetor 2023, në veturën e Smakajt është gjetur një dokument për dëshminë e njërit dëshmitar. Gjykata Speciale  ka thënë se ka gjetur materiale konfidenciale për procedurat dhe për dëshmitarët edhe në pronën e Kilajt, më 2 nëntor 2023.

Ish presidenti I Kosoves Thaçi, bashkë me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, tashmë gjenden në paraburgim që nga fundi i vitit 2020. Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!