Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, me anë të vendimit të marrë më 26 korrik 2022, ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veselit, i cili akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për krime lufte, ia kanë vazhduar masën e paraburgimit.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku i arratisjes e po ashtu edhe rreziku i pengimi i progresit të procedurave të Dhomave të Specializuara.
“Gjyqtari i procedurës paraprake arrin në përfundimin se rreziqet që Veseli do të arratiset, do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së Dhomave të Specializuara, ose do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ ose do të paraqiten në Dhomat e Specializuara, vazhdojnë të ekzistojnë”, thuhet gjithashtu në vendim.
Po ashtu, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se as kushtet e propozuara tashmë dhe asnjë kusht tjetër i vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake nuk do të zbuste mjaftueshëm rrezikun që Veseli të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së Dhomave të Specializuara ose të kryejë krime të mëtejshme.
Kujtojmë se më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë. /abcnews.al/