Gjykata në Prishtinë cakton 30 ditë paraburgim për serbin e dyshuar për krime lufte

schedule18:39 - 22 Qershor, 2023

schedule 18:39 - 22 Qershor, 2023

Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh kundër të dyshuarit Dragisha Millenkoviç nga Komuna e Graçanicës.

Ai është arrestuar më 21 qershor nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile, shkruan REL.

“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në një njoftim të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Masën e paraburgimit ndaj Millenkoviçit e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe avokati i Millenkoviçit, Dejan Vasiç, duke theksuar se do të ankohet kundër një vendimi të tillë gjyqësor.

Millenkoviç dyshohet se si ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, në maj dhe qershor të vitit 1999 “ka kryer sistematikisht tortura, dhunë fizike dhe psikologjike”, dhe se “i trajtoi të burgosurit shqiptarë në mënyrë çnjerëzore”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!