Gjykata më e lartë në Bashkimin Evropian ka mbështetur një ligj belg që parasheh humbjen e vetëdijes së kafshëve para therjes, duke kundërshtuar kështu kërkesat e grupeve hebreje dhe atyre myslimane, dhe duke hapur rrugën që edhe shtetet tjera të miratojnë kufizime të ngjashme.
Aktivistët për të drejtat e kafshëve kanë miratuar këtë rregull që kufizon disa rite fetare.
Ambasadori izraelit në Belgjikë dhe Luksemburg, Emmanuel Nahshon, e ka quajtur këtë vendim “katastrofik dhe goditje për jetën e hebrenjve në Evropë”.
Asociacionet e hebrenjve dhe myslimanëve kanë argumentuar se dekreti origjinal i hartuar në Belgjikë më 2017, i ka bërë të paligjshme mënyrat tradicionale të therjes së kafshëve.
Ata kanë thënë se metodat e tyre të therjes së fytit të kafshëve me thikë të mprehtë, ka rezultuar me vdekje të menjëhershme dhe se humbja paraprake e vetëdijes nuk është e lejuar.
Mirëpo gjykata me bazë në Luksemburg ka gjetur se dekreti belg është në linjë me ligjin e Bashkimit Evropian.
Gjyqtarët kanë gjetur se ligji në fjalë kufizon vetëm një aspekt të traditave fetare dhe se nuk ndalon praktikën në përgjithësi.
Ambasadori Nahshon ka thënë përmes Twitterit: Duket se toleranca dhe diversiteti janë fjalë boshe në sytë e disa evropianëve”.
Grupi belg, Veprimi Global në Interes të Kafshëve, ka thënë se është i gëzuar nga ky vendim, duke thënë se u mundëson edhe vendeve tjera të bllokut evropian që të miratojnë masa të ngjashme./REL