Gjykata liron “ufon”, Ilir Paja plagosi 10 vjet më parë policin

schedule13:48 - 9 Nëntor, 2017

schedule 13:48 - 9 Nëntor, 2017

Gjykata e Krujës liron nga qelia Ilir Pajën. Personazhin i njohur me nofkën “UFO” nga policia italiane për shkak të dy arratisjeve spektakolare nga burgje të sigurisë së lartë u lirua me kusht para përfundimit të dënimit. Ai po vuante një dënim me burg, për plagosjen e një polici në vitin 2008 dhe për disa krime të kryera në Itali. 

Gati një dekadë më parë, Ilir Paja ai mori nofkën “Ufo” nga policia italiane. Shkak u bënë dy arratisjet spektakolare të tij nga burgje të sigurisë së lartë në vendin fqinj. Së fundmi, Paja u largua nga burgu i “Fushë Krujës”, por jo sipas stilit që e bëri të famshëm. Pas më gati 10 vitesh burgimi ai u lirua nga qelia në zbatim të një vendimi gjykate. Ishte Gjykata e Krujës ajo që pranoi kërkesën e tij për liri me kusht.

Sipas vendimit, Paja duhet të qëndrojë në shtëpi dhe të mbajë kontakte me zyrën e Shërbimit të Provës.

Ai po vuante dënimet me burg, dhënë nga dy vendimet të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

Në vitin 2010 “ufoja” i italianeve u dënua me 15 vjet burg për ngjarjen e marsit 2008, kur përplasi me mjetin e tij “Fiat” një punonjës policie gjatë operacionit për arrestimin e tij. Shkalla e Parë e fajësoi për tentativë vrasjeje.

Apeli ndryshoi vendimin, duke e dënuar atë me 6 vjet e 8 muaj burg për akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje”. Në vitin 2011 Paja mori një dënim me 15 vjet e 4 muaj burg, duke u deklaruar fajtor për një sërë veprash penale të kryera prej tij në Itali. Ai u gjykua në bazë të materialeve hetimore të përcjella me letërporosi nga autoritetet italiane. Sipas gjykatës, veprat penale për të cilat dyshohet të jenë kryer nga Paja janë regjistruar në datat 2, 3 dhe 4 shtator 2006 në Milano, Itali. Në këtë gjykim ai u fajësua për “vrasje”, “rrëmbim ose mbajtjes peng të personit”, “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ai ka përfituar disa herë ulje të dënimit, sipas ligjit, për sjellje të mirë në burg./abc news

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!