Drejtimi i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë është një sherr ende i pambyllur. Gjykata e Tiranës nuk i ka dhënë fund përplasjes mes Voltana Ademit që ka drejtuar deri më tani shoqatën, dhe socialistit Pjerin Ndreu që pretendon se është zgjedhur kryetar i ri i Shoqatës së Bashkive.
Më 8 qershor të këtij viti, Pjerin Ndreu u zgjodh kryetar i kësaj shoqate, por Ademi nuk e pranoi këtë vendim, duke e cilësuar atë të paligjshëm.
Zëvendësimi i kryetarit të një shoqate, sic është edhe shoqata e bashkive, kërkon që të zyrtarizohet edhe në Gjykatën e Tiranës, ku mbahet regjistri i OJF-ve.
Të dy ju drejtuan këtij institucioni.
Kryebashkiaku socialit i Lezhës kërkoi nga Gjykata të regjistrohej si kryetar, ndërsa kryebashkiakja demokrate e Shkodrës, i tha gjykatës se kryetare duhet të vazhdojë të jetë ajo, pasi Ndreu ka udhëhequr një proces zgjedhor të paligjshëm.
Por gjyqtarja përkatëse, nuk ka dhënë një vendim përfundimtar për këtë konflikt, duke ja kthyer pas padinë Pjerin Ndreut e duke i kërkuar ta plotësojë atë, pasi ka mangësi.
Gjykata kërkon detaje mbi mbledhjen e jashtëzakonshme të Aasamblesë së Bashkive, ku u votua Pjerin Ndreu si kryetar në vend të Voltana Ademit. Afati për të plotësuar dokumentet është 25 qershori.
Ndërkohë përplasja Ademi-Ndreu merr një rëndësi specifike, kur shoqata në fjalë, ka bërë një padi në Gjykatën Kushtetuese ku kërkon shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, padi e cila kundërshtohet nga Partia Socialiste.
Demokratja Ademi ka thënë se qëllimi i vërtetë i Pjerin Ndreut është që të tërheqë padinë në Kushtetuese, padi e cila do të gjykohet në 23 qershor. /abcnews.al/