Gjykata i jep të drejtë Autoritetit të Konkurrencës: FSHF të mos abuzojë!

schedule18:41 - 21 Shtator, 2020

schedule 18:41 - 21 Shtator, 2020

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë të Tiranës I jep të drejtë Autoritetit të Konkurrencës në gjyqin ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit. Federata akuzohet për abuzim me pozitën dominuese në treg

Pritet të ketë ndryshime pas këtij drejtimi që morën ngjarjet. Federata Shqiptare e Futbollit do të jetë e detyruar të veprojë në mënyrë krejt tjetër, pasi Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë vendosi të quante të vlefshëm vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Në maj të këtij viti, ky Autoritet kishte vlerësuar se Federata kishte abuzuar me pozitën dominuese si entiteti i vetëm, të cilit shteti i ka deleguar të drejtën e organizimit dhe zhvillimit të veprimtarisë kombëtare e ndërkombëtare në futboll, në lidhje me aktivitetin ekonomik që zhvillon, ku përfshihen shitja e të drejtave televizive, shitjes së biletave të ndeshjeve të kombëtareve, sponsorizime e reklama.

Pas këtij vendimi, i cili padyshim që është i apelueshëm në sistemin e drejtësisë, Federata ka disa detyrime. Detyrim që shitja e të drejtës televizive të reduktohet në fushëveprim dhe jo më shumë se 3 vjet, ku të drejtat të jenë të ndara e t’u shiten operatorëve të ndryshëm.

Federata të ndajë prokurimin e Kategorisë Superiore e Kupës së Shqipërisë, me dallim në ofertën për ndeshjet e rëndësishme dhe ndeshjet e tjera. Heqjen e ekskluzivitetit në të ardhmen në kontratat e shitjes së të drejtave audiovizive të përmbledhjeve të ndeshjeve, për pjesëmarrje sa më të gjerë të operatorëve audiovizivë.

Liga Profesioniste duhet të ketë rol aktiv në vendimmarrje, për shitjen e përbashkët të së drejtës televizive, dhe të të drejtave që burojnë prej saj. Federatës i kërkohet të shpërndajë në mënyrë transparente fondet e dhëna nga UEFA e FIFA, në prani të Ligës Profesioniste, për t’u ruajtur konkurrenca e ndershme në treg.

Po ashtu, kërkohet zbatim të një procedure transparente për zgjedhjen e sponsorit kryesor e sponsorëve të tjerë. Federata duhet të ketë procedura transparente që të paraqiten në Autoritetin e Konkurrencës për kontratat sipas të drejtës ekskluzive.

Një detyrim është që të rishikojë mënyrën e vendosjes së çmimit të biletave për ndeshjet ndërkombëtare. Sipas vendimit, Federata ka afat 120 ditë për të plotësuar detyrimet, ndryshe gjobitet deri në 5 për qind të xhiros mesatare ditore. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!