Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburgim për Ramadan Morinës, të akuzuarit për pjesëmarrje në masakrën në Burim të Malishevës.
“Ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëpunim me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”, deklaroj Prokuroria, ndërsa theksoi se gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve.
Ramadan Morina u arrestua ditë më parë në Prishtinë nga Policia e Kosovës, ndërsa seanca për te u mbajt me dyer te mbyllura për mediat.
Edhe Autoritetet serbe kanë raportuar se kanë arrestuar dy shqiptarë në pikën kufitare të Horgoshit me dyshimin për krime lufte të kryera në Kosovë në vitin 1999.
Kjo u bë e ditur nga Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç. Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit
Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dosjet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore. Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
/abcnews.al/

