Gjykata e Tiranës vazhdon të jetë me dorë të hekurt në për përzgjedhjen e delegatëve në shoqatat rajonale të futbollit dhe të atyre të asamblesë zgjedhore të FSHF-së të cilat ishin planifikuar të bëheshin më 2 mars.
Por Gjykata e Tiranës vazhdon t’i qëndrojë vendimit të saj ku i ka shpallur të pavleshme të gjitha vendimet e marra nga FSHF, ku ditën e djeshme gjykata sqaroi dhe argumentoi se përse FSHF nuk mund të bëjë zgjedhje.
“Në mbështetje të nenit 36 të Kodit të Procedurave Civile, sipas të cilit: “Në juridiksionin e gjykatave hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile dhe mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta. Juridiksioni gjyqësor civil ushtrohet sipas dispozitave të këtij Kodi dhe ligjeve të tjera. Asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mosmarrëveshje civile që është duke u gjykuar nga gjykata. Është e pavlefshme çdo marrëveshje që lidhet në kundërshtim me këtë dispozitë, çështja në shqyrtim hyn në juridiksionin gjyqësor”, thuhet në arsyetimin e vendimit. Në vendimin e saj, Gjykata çmon se sipas nenit 37: “Juridiksioni i gjykatave shqiptare nuk mund t’i kalohet me marrëveshje një juridiksioni të huaj, përveç kur gjykimi ka lidhje me një detyrim ndërmjet të huajve ose ndërmjet një të huaji e një shtetasi shqiptar, ose personi juridik pa banim ose qëndrim në Shqipëri, si dhe kur këto përjashtime janë parashikuar në marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në zbardhjen e vendit të dhënë nga Gjykata e Tiranës.
Gjykata ka juridiksionin e saj, nuk i njeh të huajt në këtë rast
Në çështjen në shqyrtim nuk kemi të bëjmë: (1) as me një detyrim ndërmjet të huajve, (2) as me një detyrim ndërmjet një të huaji dhe një shtetasi shqiptar, (3) as me një person juridik pa banim ose qëndrim në Shqipëri, dhe (4) as me përjashtime të parashikuara në marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, atëherë shqyrtimi i kërkesëpadive dhe kërkesave në lidhje me vendimet e FSHF-së, vazhdon të jetë në juridiksionin e gjykatave shqiptare. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka kompetencë lëndore në shqyrtimin e kërkesëpadive dhe kërkesave kundër vendimeve të FSHF-së, në bazë të përcaktimit të bërë në nenin 51, të Kodit Civil në të cilin përcaktohet: Çdo anëtar ka të drejtë të kundërshtojë në gjykatën kompetente vendimet e shoqatës që vijnë në kundërshtim me ligjin ose me statutin. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka kompetencë tokësore në shqyrtimin e kërkesëpadive dhe kërkesave kundër vendimeve të FSHF-së, në bazë të përcaktimit të bërë në nenin 43 paragrafi l, të Kodit të Procedurave Civile, në të cilin përcaktohet: “Kur i padituri është person juridik, paditë ngrihen në gjykatën e vendit ku personi juridik ka qendrën e tij”. Për aq kohë sa selia e FSHF-së është në Tiranë, atëherë për shqyrtimin e kërkesëpadive dhe kërkesave në lidhje me vendimet e FSHF-së është kompetente Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet nga gjykata./ h.ll/abcnews.al