Gjykata e Strasburgut i kërkon shtetit shqiptar të mos dëbojë turkun, Selami Simsek

schedule19:18 - 8 Janar, 2021

schedule 19:18 - 8 Janar, 2021

Gjykata e Strasburgut i kërkon shtetit shqiptar të mos dëbojë turkun Selami Simsek. “Strasburgu” është vënë në lëvizje nga avokati, Elton Hyseni.

Masa e sigurimit të padisë iu është komunikuar palëve ditën e sotme.

Strasburgu urdhëron autoritetet mos ta dëbojnë derisa të përfundojnë procedurat gjyqësore për Simsek. Sakaq ai pretendon se persekutohet nga shteti turk për shkak se familjarë të tij janë dënuar si mbështetës të Fetullah Gylen.

Ndërkohë fati i Simsek varet nga Gjykata Administrative e Apelit.

-Selami Simsek u dënua me 1 vit burg nga gjykata e Shkallës së Parë Tiranë për falsifikim të vizave.

Ai u arrestua në gusht të vitit të kaluar në aeroportin e Rinasit bashkë me mikun e tij Harun Çelik, me dyshimet se tentuan të kalonin me vizë kanadeze të falsifikuar. Simsek, është mbështetës i Lëvizjes “Gylen”, ndaj së cilës Presidenti Erdogan ka nisur një fushatë përndjekjeje.

Avokati Hyseni, ka deklaruar se klienti i tij Selami Simsek nuk mund të dëbohet, për aq kohë sa procesi do të nisë në Gjykatën e Apelit. Kjo çështje është dërguar edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe në përgjigjen zyrtare të kthyer nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut, thuhet se kërkesa është dorëzuar në zyrat përgjegjëse për tu shqyrtuar.

Selami Simsek ka bërë edhe kërkesë për azil në vendin tonë, të cilën e dorëzoi me postë tek Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit.

Në kërkesën për azil, Simsek shprehet se në vendin e tij, në Turqi i rrezikohet jeta, pasi e konsiderojnë mbështetës të lëvizjes së klerikut, Fetullah Gylen.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!