Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për pushim të hetimeve ndaj 3 gjyqtareve të dosjes së Dritan Dajtit. Në përfundim të seancës, Gjyqtarja Miliana Muça kërkoi që çështja të rikthehet për hetime të mëtejshme. Gjatë seancës nuk u dha asnjë argument, se përse u rrëzua kërkesa e prokurorisë, por gjyqtarja Muça është shprehur se argumentimi do pasqyrohet në zbardhjen e vendimit.
Prokuroria e Posacme kishte kërkuar pushimin e çështjes penale ndaj tre gjyqtareve që pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin. Gjyqtarët kishin rrëzuan 4 burgimet e përjetshme të dhëna nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, dhe e dënuan Dajtin me 25 vite heqje lirie.
Në kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes për 3 gjyqtarët e dosjes së Dritan Dajtit, që ABC News ka siguruar, thuhet se në vendimmarrjen e tre gjyqtarëve Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli, nuk janë gjetur elemente të veprës penale. Hetimi ndaj tyre nisi pas dyshimeve për korrupsion, por akuzat sipas prokurorisë nuk u provuan. Prokuroria kërkonte që t’i kthehej shuma prej 17 mijë eurosh, gjyqtarit Skënder Damini. Shuma që iu gjet cash në sirtar gjyqtarit Damini gjatë një kontrolli blic të policisë, sipas prokurorisë është e justufikuar, pasi i përkasin djalit të tij që ka një fermë në Lushnje.
“Gjatë hetimit pasuror ka rezultuar se Lisien Damini, djali i gjyqtarit Skender Daminit është regjistruar në 2018 si subjekt tregtar në Fier. Në fshatin Zhamë të Lushnjes, ai ka marrë me qira 21 mijë metra katrorë tokë dhe prodhon perime. Kësisoj Lisien i justifikon plotësisht paratë e gjetura në banesë, përmes faturave”. Prokuroria kërkonte gjithashtu që gjyqtarit Skënder Damini t’i kthehej celulari. E njëjta kërkesë e prokurorisë ishte edhe për 1500 eurot që iu gjetën gjytarit Petrit Aliaj, si të justifikuara nga burime të ligjshme. Organi i akuzës kërkonte që Aliajt t’i kthehej portofoli e aparati celular. Edhe për gjyqtarin Aleks Nikolli, prokuroria kërkonte kthimin e telefonit celular. Vendimi i prokurorisë për pushim te hetimeve ndaj tre gjyqtarëve që pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin, mban datën 8 nëntor 2019 dhe është firmosur nga dy prokurorët Donika Prela dhe Klodian Braho./abcnews.al