Gjykata e Posaçme dënon me 15 vite burg Domart Konjarin

schedule14:40 - 14 Shtator, 2020

schedule 14:40 - 14 Shtator, 2020

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka dënuar Domart Konjarin me 15 vite heqje lirie.

Konjari, i cili ndodhet prej katër vitesh në arrati akuzohet për veprat penale:“trafik droge’, “pjesëmarrje në organizatë kriminale”, “pastrim parash”, “falsifikim dokumentesh” dhe “tentativë për të korruptuar policinë”.

Konjari u arrestua në nëntor të 2015, në pikën kufitare të Kapshticës me pasaporte të falsifikuar. Por ai u lirua 5 muaj më vonë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda për mangësi në dokumentacion.

Togat e zeza i ndryshuan masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje”. Asokohe reagoi ashpër ndaj drejtësisë shqiptare ambasada franceze, në Tirane, pasi ky shtetas kishte llogari te hapura edhe me drejtesinë në Francë.

Kjo e detyroi ministrin e drejtësisë së kohës Ylli Manjani që të kërkonte ndjesë për vendimin e gjykatës së Apelit. Prokuroria atë kohë i kishte bërë rekurs vendimit te apelit, por gjykata e Lartë e rrëzoi duke i dhënë të drejtë shkalles se dytë të Krimeve të Rënda.

Sipas prokurorisë, Domart Konjari bashkëpunonte me francezë, spanjollë dhe marokenë në trafikun e kokainës.

Domart Konjari akuzohet për 7 episode trafiku në shtetin francez përgjatë viteve 2011-2013. Por prokuroria ka dyshime ende të pafaktuara që ai mund të ketë kryer trafik droge edhe pas këtyre viteve. g.v/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!