Një gjykatës brazilian ka hapur një hetim ndaj Elon Musk për pengim të drejtësisë pasi miliarderi deklaroi se do të kundërshtonte një urdhër gjykate për të hequr llogaritë në X që përhapin dezinformata.
Në një vendim të dielën, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes tha se hetimi do të shqyrtojë nëse Musk, i cili zotëron platformën X, ishte i përfshirë në pengim, organizatë kriminale dhe nxitje.
“Sjellja flagrante e pengimit të drejtësisë braziliane, nxitja e krimit, kërcënimi publik i mosbindjes ndaj urdhrave të gjykatës dhe mungesa e bashkëpunimit në të ardhmen nga platforma janë fakte që nuk respektojnë sovranitetin e Brazilit,” shkroi de Moraes, duke urdhëruar X të përmbahet nga mosbindja ndaj urdhrave gjyqësorë, duke përfshirë riaktivizimin e një llogarie që Gjykata e Lartë urdhëroi bllokimin.
De Moraes tha se X do të përballej me gjoba prej rreth 20 mijë dollarë në ditë për çdo llogari të riaktivizuar në kundërshtim me urdhrin e gjykatës. “Rrjetet sociale nuk janë toka pa ligje,” shkroi de Moraes.
Urdhri i De Moraes erdhi pasi Musk sulmoi gjyqtarin në X pas një njoftimi nga platforma se ishte urdhëruar të bllokonte disa llogari. Nuk dihet se cilat llogari janë bllokuar apo kur është lëshuar urdhri i gjykatës.
“Ky gjyqtar ka tradhtuar në mënyrë të pacipë dhe në mënyrë të përsëritur kushtetutën dhe popullin e Brazilit”, tha Musk./abcnews.al