Gjykata e Lartë hedh poshtë ofertën e Trump për demokratët

schedule23:11 - 22 Janar, 2019

schedule 23:11 - 22 Janar, 2019

Gjykata Supreme në Shtetet e Bashkuara ka lënë në fuqi mbrojtjen e emigrantëve nga deportimi, duke zhvlerësuar tërësisht ofertën që presidenti Trump u bëri demokratëve për zhbllokimin e ngërçit institucional. Trump kishte ofruar një mbrojtje të përkohshme në këmbim të financimit të murit me Meksikën.

Plani i presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund bllokadës qeveritare duke e ndërtuar murin në kufirin SHBA-Meksikë mori një goditje të fortë të martën, kur Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara la në fuqi programin për mbrojtjen e emigrantëve të rinj nga deportimi. Në draftin e tij, Trump ofronte mbrojtje të përkohshme për emigrantët e kësaj kategorie në këmbim të financimit të 5.7 miliardë dollarëve për murin. Çështjet në fjalë janë kthyer në një betejë epike në Uashington mes presidentit republikan dhe demokratëve që kontrollojnë Kongresin. Për shkak të kësaj beteje, një pjesë e mirë e agjencive qeveritare kanë ndërprerë pjesërish operacionet e tyre dhe 800 mijë punonjës federalë kanë mbetur pa paga.

Të shtunën, Trump propozoi zhbllokimin e pjesshëm të ngërçit institucional përmes financimit të një të katërtës të agjencive qeveritare. Në këmbim, ai do të merrte 5.7 miliardë dollarë për të ngritur murin në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Por demokratët përsëritën qëndrimin e tyre se muri nuk do të jetë efikas në luftën kundër krimit dhe drogës dhe paralajmëruan se nuk do të pranojnë kurrë një masë të përkohshme për mbrojtjen e emigrantëve në këmbim të një strukture të përhershme. Edhe vendimi i Gjykatës Supreme ditën e martë, që lë në fuqi masën e vjetër, shkon në favor të demokratëve./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!