Gjykata e Lartë amerikane i jep të drejtë Trump për murin me Meksikën

schedule14:20 - 27 Korrik, 2019

schedule 14:20 - 27 Korrik, 2019

Administrata Trump tashmë mund të përdorë fondet me një vlerë prej 2.5 miliard dollarë të Pentagonit për të ndërtuar murin në kufi me Meksikën. Vendimi u mor nga gjykata e lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjykata e lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dhënë dritën jeshile administratës Tramp për të përdorur 2.5 miliardë dollarë për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka reaguar menjëherë me anë të një mesazhi në Tuiter duke shkruar: “Uai! Një fitore e madhe për Murin. Gjykata e lartë ka rrëzuar një padrejtësi të madhe duke lejuar vazhdimin e ndërtimit të murit me Meksikën. Një fitore e madhe për sigurinë në kufi.”

Një fitore e rëndësishme për Trump i cili mund të përdorë fonde për Pentagonin, rreth 2.5 miliard dollarë, për ndërtimin e rreth 160.9 kilometra mur në kufi me Meksikën ndërsa beteja e hapur në gjykata të ndryshme vazhdon ende. Kundër këtij vendimi mbeten ende katër gjykatës federalë.

Gjykata e lartë rrëzoi në këtë mënyrë vendimin e gjykatës së apelit të qarkut të nëntë, që ishte rreshtuar me “Sierra Club” dhe një koalicion komunitetesh në kufi, që e cilësonin si shkelje të ligjit përfitimin e fondeve nga ana e departamentit amerikan të mbrojtjes për ndërtimin e murit. Sipas gjykatës së lartë qeveria ka paraqitur prova të mjaftueshme për faktin se nuk ka asnjë bazë për të bllokuar transferimin e fondeve.

Presidenti amerikan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kufi me Meksikën në shkurt të këtij viti, pas dy muajsh betejë me kongresin amerikan, që shkaktoi dhe “shatdaun” më të gjatë në historinë amerikane. Një situatë emergjence që sipas Trump i jepte të drejtë të mund të përdorte fonde të agjencive të tjera qeveritare për ndërtimin e murit. Një deklaratë që shkaktoi veprime ligjore dhe nga ana e dhomës së deputetëve. Një përpjekje e dështuar kjo me gjykatësin Trevor Mekfaden i cili theksoi se gjykatat mund të zgjidhin debatet mes pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, vetëm si burim i fundit. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!