Një gjykatë apeli në shtetin e Nju Jorkut la të enjten në fuqi një urdhër që e ndalon ish-Presidentin Donald Trump dhe avokatët e tij që të bëjnë deklarata publike për punonjësit e gjykatës në një çështje civile ku ai akuzohet për mashtrime financiare, thuhet në dokumentet e gjykatës.
Zoti Donalt Trump, kandidati kryesor republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, akuzohet për fryrjen e vlerës së pasurive të tij me miliarda dollarë për të siguruar kredi të leverdishme bankare. Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut ka ngritur padi ndaj tij për mashtrime financiare. Ish-Presidenti Trump i ka hedhur poshtë akuzat ndërsa e ka akuzuar për njëanshmëri politike Prokuroren e Përgjithshme të Nju Jorkut, e zgjedhur në post si kandidate demokrate.
Ai e ka gjobitur zotin Trump 15000 dollarë për dy shkelje të vendimit për kufizimin e komenteve dhe e ka paralajmëruar atë se shkelje të tjera do të rezultonin në dënime më të rrepta, përfshirë burgimin. Vendimi për kufizimin e komenteve ka të bëjë vetëm me ekipin e gjykatësit Engoron.
Ndërkohë, zoti Trump përballet me një urdhër të ngjashëm për kufizimin e komenteve për një çështje tjetër të ngritur ndaj tij lidhur me akuzat për përpjekje për ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Kryeprokurorja e Nju Jorkut e ka akuzuar zotin Trump, dy djemtë e tij të rritur dhe 10 nga bizneset e tij se kanë manipuluar vlerën e pronave për të mashtruar bankat dhe kompanitë e siguracioneve për të siguruar kredi dhe mbulime të leverdishme. Gjyqi ka të bëjë kryesisht me dëmet, sepse gjykatësi Engoron tashmë ka zbuluar se deklaratat financiare të zotit Trump ishin të rreme.
Kryeprokurorja James kërkon një gjobë prej 250 milionë dollarësh dhe që zotit Trump t’i ndalohet veprimtaria në biznesin e pasurive të paluajtshme në Nju Jork. Zoti Trump përballet me katër padi federale dhe shtetërore të ndryshme, përfshirë dy çështje ku ai akuzohet për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ai ka thënë se është i pafajshëm në të gjitha çështjet.
Asnjëra nga çështjet nuk e ka dëmtuar epërsinë e tij të lartë në garën për të marrë emërimin e Partisë Republikane për të sfiduar presidentin demokrat Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit të ardhshëm./Voa