Gjukanoviç: Serbia po vepron sipas interesave të Rusisë

schedule17:22 - 22 Dhjetor, 2018

schedule 17:22 - 22 Dhjetor, 2018

Serbia vazhdon të veprojë sipas interesave të Rusisë. Është kjo deklarata e presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviç, i cili theksoi se Beogradi kohët e fundit ka acaruar marrëdhëniet me pjesën më të madhe të vendeve fqinje.

Pesidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ka akuzuar qarqe në Serbi, përfshirë këtu dhe bartës të funksioneve shtetërore dhe Kishën Ortodokse Serbe, për tensionim të marrëdhënieve me fqinjët.Sipas tij, ashpërsimi i retorikës nacionaliste, por edhe i veprimeve të caktuara përputhet me interesat e Moskës zyrtare që Ballkani Perendimor të mos përfshihet në strukturat euro-atlantike. Në intervistën e fundvitit dhënë Televizionit Shtetëror në Podgoricë, Gjukanoviç duke folur për ndërhyrjen serbe në vendin e tij është shprehur malazezët nuk marrin vendime antiserbe por në interes të tyre kombëtar.

Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç ka deklaruar se Serbia gjithnjë e më shumë po braktis kursin e para disa viteve të përmirësimit të marrëdhënieve me fqinjët, si parakusht për të lënë prapa hipotekat e së kaluarës. Dëshmi për këtë, sipas tij, është acarimi i marrëdhënieve me Zagrebin, Prishtinën, madje dhe me vendin e tij. Në intervistën dhënë Televizionit Shtetëror, Gjukanoviç tha të premten se ka përputhje të veprimeve të qarqeve të caktuara nacionaliste në skenën publike në Serbi me interesat ruse.

“Është plotësisht e qartë se interesat ruse nuk janë që Ballkani të përparojë me dinamizëm drejt integrimeve evropiane e sidomos jo drejt integrimeve euro-atlantike. Të kujtojmë deklaratën e paradokohshme të zyrtarit të lartë rus, ministrit të Jashtëm, i cili tha se Maqedonia, nën presionin e Perendimit ose më sakt, më duket të Amerikës, pranoi ndërrimin e emrit për të siguruar shumë shpejt vendin e vet në kuadrin e aleancës së NATO-s. Pra, është plotësisht e qartë se Rusia kundërshton këtë,”- tha presidenti malazez duke vlerësuar se, sipas tij, është plotësisht e qartë se Moska zyrtare është kundër integrimit evropian dhe euroatlantik të Ballkanit Perendimor.

“Dhe, luftën politike me NATO-n, po e zhvillon jo aq mbizotëruese duke luftuar me Amerikën, por pikërisht duke luftuar me Evropën, në të vërtetë me pjesën evropiane të Aleancës së NATO-s që e gjitha shpie drejt rrezikimit të sistemit evropian të vlerave”.

Me këtë rast, në intervistën dhënë Servisit Publik në Podgoricë, presidenti malazez ka komentuar edhe ndërhyrjet gjithnjë e më të dukshme të Beogradit zyrtar në vendet fqinje – në emër të mbrojtjes së interesave të komunitetit serb. Gjukanoviç nuk ka prituar të tërheqë një analogji me atë të ngjarjeve të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar që çuan në shpërbërjen e ish-federatës jugosllave. Kjo, sipas tij, është e rrezikshme për shkak se në Ballkan ende nuk janë zgjidhur çështjet e asaj kohe:

“Shumë shpesh rikujtojmë se Bosnja edhe më tej është jonfunksionale, Maqedonia edhe më tej është e paralizuar në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike, kurse marrëdhëniet në mes Beogradit dhe Prishtinës janë tejet të tensionuara”.

Duke qenë më konkret, për format e ndërhyrjes serbe në vendin e tij, presidenti Gjukanoviç tha se me to synohet që malazezët të pengohen të marrin vendime për interesat e veta:
“Qarqe të caktuara në Serbi, pra duke përfshirë edhe bartësit e funksioneve shtetërore, por para së gjithash do të thoja qarqe të caktuara mediatike, nacionaliste dhe natyrisht Kisha Ortodokse Serbe, janë subjektet të cilat janë munduar shumë që gjatë vitit të fundit të ashpërsojnë sjelljen e vet ndaj Malit të Zi që, pak a shumë, reduktohet në mohomin e të drejtës së Malit të Zi që në mënyrë sovrane të marrë vendime të cilat kanë të bëjnë me interesat e tij,” – tha Gjukanoviç në intervistën dhënë televizionit malazez duke nënvizuar se Mali i Zi nuk merr qëndrime antiserbe, por me interes për të./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!