Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç ka mandatuar si kryeministër për formimin e qeverisë së re kryesuesin e listës “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, Zdravko Krivokapiç. Dritan Abazoviç u shpreh se sot shoqëria malazeze tregoi se është më e pjekur nga sa mendonim.
“Unë mendoj se presidenti i Malit të Zi e ka pranuar realitetin, i cili është shumë i rëndësishëm dhe se ne do të fillojmë me bashkëjetesën”, tha Abazoviç.
Ai gjithashtu tha se qytetarët duhet të jenë të relaksuar dhe se pjesa më e vështirë e punës është që kryeministri i caktuar të propozojë përbërjen e qeverisë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Unë mendoj se qeveria e re do të jetë evropiane, civile dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve”, përfundoi Abazoviç, shkruan Ekspres. /db/Abcnews.al

