“Ne i kuptojmë ambiciet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, për të marrë statusin vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe e mbështesim fuqishëm këtë”, tha presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç.
Kështu tha ai të martën para gazetarëve në Podgoricë, pas takimit që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vizitën e parë të saj zyrtare në këtë shtet.
Osmani tha se Mali i Zi deri më tani ka treguar mbështetje të qartë për Kosovën në të gjitha fushat.
“Mali i Zi dhe Kosova janë shtete sovrane dhe qartësisht të përkushtuara në rrugën e anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të punojmë me synimin për të zgjidhur çështjet e së kaluarës sonë të dhimbshme. Ne do të vazhdojmë në rrugën e paqes dhe stabilitetit”, tha ajo.
Ajo falënderoi Gjukanoviçin për mbështetjen e tij, dhe tha se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO i kontribuoi paqes në të gjithë rajonin.
Duke folur për raportet e ndërsjella, të cilat sipas tyre janë të rëndësishme dhe miqësore, Gjukanoviç tha se ka punë përpara që pakica malazeze në Kosovë të përfshihet në Kushtetutën e Kosovës si komunitet zyrtar.
Gjukanoviç tha gjithashtu se Mali i Zi po ndjek me kujdes gjithçka që po ndodh në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne jemi të bindur se mund të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme. Me zgjidhjen e kësaj çështjeje – do të zgjidhej dukshëm çështja e stabilitetit e këtij rajoni”.
Osmani tha se gjatë takimit është biseduar për potencialin e jashtëzakonshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Gjukanoviç dhe Osmani do të marrin pjesë në panelin e presidentëve “Zhvillimi i ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor: Sfidat për paqen dhe stabilitetin në dritën e krizës rajonale dhe globale”, organizuar nga Lëvizja Evropiane në Mal të Zi.
Në ditën e dytë të vizitës, presidentja Osmani do të vizitojë komunat e Tuzit dhe Ulqinit, ku jetojnë kryesisht shqiptarët në Mal të Zi.
Qeveria e Malit të Zi, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Gjukanoviç e njohu Kosovën në tetor të vitit 2008, tetë muaj pas vendimit të Prishtinës për ta shpallur pavarësinë.
Në të njëjtën kohë, opozita e atëhershme malazeze, e udhëhequr nga lideri i Frontit Demokratik, Andrija Mandiç, protestoi duke kërkuar anulimin e vendimit për njohjen e Kosovës.
Pas tri dekadash në pushtet, DPS e Gjukanoviçit humbi zgjedhjet e gushtit 2020. Aktualisht ajo është partia më e fortë opozitare në Mal të Zi./REL