Studiuesi dhe autori Alban Kraja ka hedhur një ide ambicioze: që gjuha shqipe të kërkohet të shpallet trashëgimi kulturore në UNESCO. Sipas tij, për këtë iniciativë po bëhen përgatitje dhe diskutime me gjuhëtarë të ndryshëm, ndërsa thekson se, edhe pse është një rrugë e gjatë, nuk është aspak e pamundur. Kraja shprehet se qëllimi është që gjuha shqipe të trajtohet si një vlerë e veçantë kulturore që duhet mbrojtur dhe promovuar në nivel ndërkombëtar.
Në kërkimet e tij, ai ngre edhe një tjetër tezë që pritet të nxisë debat: nevojën për rikthimin e studimit të ashtuquajturit alfabet pellazgjik. Sipas Krajës, në Shqipëri duhet të hapen kurse dhe programe studimore për të rinjtë, që jo vetëm të mësojnë gjuhën shqipe, por edhe të njihen me këto shkrime të lashta që, sipas tij, lidhen me rrënjët më të hershme të identitetit.
Por deklaratat e tij më provokuese lidhen me historinë e rajonit. Kraja thotë se arvanitët nuk bënë “Revolucionin Grek”, por një revolucion arbëror në vitin 1821. Sipas tij, qëllimi i tyre nuk ishte krijimi i një shteti grek, por çlirimi nga Perandoria Osmane dhe mbrojtja e trojeve të të parëve.
Madje ai shkon edhe më tej duke pretenduar se shteti i parë i krijuar në atë kohë u quajt “Nea Albania” dhe se figura të rëndësishme politike të asaj periudhe kishin origjinë arvanitase. Teza të tilla, sipas studiuesit, duhen diskutuar më shumë në botën akademike për të rishikuar disa narrativa historike të pranuara deri më sot.


