Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka reaguar pas qendrimeve publike nga përfaqësues të subjektit politik GUXO dhe nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, pas veprimeve procedurale të ndërmarra nga Prokuroria Speciale në rastin që përfshin intervistimin e Faton Peçit në cilësinë e të dyshuarit.
Në mënyrë të veçantë, shoqata e konsideron të papranueshme gjuhën denigruese dhe akuzat publike të drejtuara ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, si dhe ndaj prokurorit të çështjes, Admir Shala, për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre ligjore dhe kushtetuese.
Sipas kesaj shoqate, gjuha denigruese e politikes nuk do ta ndaloj te bej punen.
“Akuzat politike, tentativat për diskreditim personal dhe përmendja e përkatësive të mëhershme partiake, nuk mund dhe nuk guxojnë të përdoren si mjet për të ndikuar në vendimmarrjen apo integritetin e prokurorëve. Shoqata rithekson se kriteri i vetëm për vlerësimin e një prokurori është performanca profesionale, respektimi i ligjit dhe standardeve etike, dhe jo lidhje të supozuara apo të interpretuara politikisht.”
Shoqata u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve publikë që të respektojnë pavarësinë institucionale të sistemit prokurorial, dhe “të përmbahen nga deklaratat që përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ndaj punës së prokurorëve”.
Shkak per kete reagim u bene qendrimet e ministers se jashtme ne detyre Donika Gervalla dhe asaj te drejtesise Albulena Haxhiu, sipas te cilave keto akte ishin inskenim./abcnews.al