Presidenti Bajram Begaj, në ditën e dytë të vizitës në Kozenca të Kalabrisë u ndal edhe në “Spezzano Albanese”, ku u prit nga komuniteti arbëresh dhe autoritetet vendore. Për t’i uruar mirëseardhjen kreut të shtetit, në Arbërinë kalabreze kishin mbërritur nga qytete të tjera italiane edhe qytetarë shqiptarë të ikur nga vendi gjatë viteve te fundit.
Pas përshëndetjeve dhe takimeve me ta, Presidenti Begaj zhvilloi një vizitë në muzeun e “Spezzano Albanese”, në të cilin ruhet historia e komunitetit arbëresh.
Në takimet e zhvilluara me autoritetet vendore në “Spezzano Albanese”, kryetari i kësaj komune njoftoi iniciativën e përfshirjes së gjuhës arbëreshe në shkolla, nismë që iu premtua Presidentit Begaj edhe nga përfaqësues të Rajonit të Kalabrisë për shndërrimin në promotor të zbatimit të këtij projekti nga Këshilli Rajonal i Kalabrisë.
Kreu i Shtetit shprehu falenderimet e tij dhe premtoi mbështetjen për çuarjen përpara të kësaj nisme.
Më pas Presidenti Begaj zhvilloi në “San Demetrio Corone” një takim me kryetarët e bashkive dhe komunave arbëreshe, në prani edhe të prefektit të Kozenës. Një pllakatë e posaçme dedikuar vizitës së Presidentit të Shqipërisë, u zbulua sot pranë kolegjit “Sant’ Adriano”. Kreu i Shtetit nderoi Kolegjin, nga i cili kanë dalë emra të njohur të botës letrare, akademike e intelektuale dhe atdhetarë si Luigj Gurakuqi e Aleksandër Xhuvani, e shumë të tjerë me kontribut si për Shqipërinë ashtu edhe për Italinë.
Presidenti Begaj vlerësoi solidaritetin e popujve të dy shteteve në çdo periudhë kritike si edhe rolin e kalabrezëve për ruajtjen e lidhjeve me atdheun e origjinës.
“Ky Kolegj ka nxitur diskutimin e temave të rëndësishme historike, që nga nevoja për liri e kombeve, te çështjet më bashkëkohore si ajo e domosdoshmërisë të bashkëjetesës ndërmjet kulturave. Kjo është një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe arsimore në të gjithë Arbërinë italiane. Këtu u zhvillua veprimtaria e Institutit Ndërkombëtar të San Demetrio për Shqipërinë, i cili formësoi të rinjtë studentë nga vendi im dhe që edhe sot sheh mes lëndëve të tij mësimin e gjuhës shqipe. Nga Jeronim De Rada, që jepte gjuhën shqipe, deri te Anselmo Lorecchio, i cili ndihmoi në pranimin e shumë studentëve shqiptarë në këtë Kolegj, ju jeni një nga shembujt më frymëzues të kauzës për mbrojtjen e vlerave identitare,” – shtoi më tej Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit u shpreh se: “Në një botë ku shpesh për fat të keq, shohim ngjarje tragjike të nxitura nga ndarje ideologjike, kulturore apo fetare, vende si Kolegji “Sant’ Adriano” mund dhe duhet të promovojmë respektimin e të drejtave të njeriut dhe bashkëjetesës midis popujve dhe kulturave.”
Presidenti Begaj theksoi rëndësinë që ka solidariteti për ruatjen e marrëdhënieve Shqipëri – Itali, duke iu referuar shembujve historike të hapjes së dyerve për arbërshët shekuj me parë dhe me vonë për shqiptarët që ikën nga izolimi pas rënies së regjimit.
“Komuniteti arbëresh, si dhe ai shqiptar i ardhur dekadat e fundit në Itali, janë tregues i një vazhdimësie të lidhjeve të forta mes Shqipërisë dhe Italisë. Lidhjet e fuqishme historike, kulturore e njerëzore, duhet t’i përkthejmë edhe në një bashkëpunim më të gjerë dypalësh, me fokus në bashkëpunimin ekonomik, në sektorët e prodhimit, të tregtisë të produkteve cilësore agro-ushqimore, dhe padyshim në thellimin e shkëmbimeve kulturore, arsimore, sociale, e më gjerë”
Begaj nderoi me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Institutin Rajonal të Komunitetit Arbëresh të Kalabrisë për kontributin që ky institut po jep për ruajtjen, mbështetjen e promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe përmes veprimeve përbashkuese të të gjithë faktorëve ndikues të mundshëm.
/abcnews.al