Grupi parlamentar i PS ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës deputetin e PD-së, Endri Hasa, i cili në seancën plenare të paradites së sotme qëlloi me vezë drejt kryeministrit Rama. Në kallëzimin, e bërë publik për mediat nga kreu i grupit, Taulant Balla, kërkohet ushtrimi i ndjekjes penale për veprat penale të ”Goditjes për shkak të detyrës”dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
“Endri Hasa, – thuhet në kallëzimin e PS-së,- duke shfrytëzuar cilësinë e qënies deputet ka hyrë në Kuvend me sende që nuk lejohen, sikundër po në bazë të kësaj cilësie nuk iu është bindur dhe forcave të sigurisë së Kuvendit për ta përjashtuar nga seanca të kallëzuarin”.
Në kallëzimin penal thuhet se sjellja e paprinciptë e të kallëzuarit Hasa, bie ndesh me detyrën e një të zgjedhuri, një funksionari publik, që duhet të respektojë të gjitha rregullat e parashikuara në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë për të lejuar zhvillimin normal të seancave plenare dhe komisioneve parlamentare./abcnews.al