“Prokuroria të mos mbyllë sytë përpara veprave penale apo, akoma më keq, të bëhet palë me kriminelin”.
Me këto fjalë është drejtuar sot ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj në prezantimin para Prokurorit të Përgjithshëm dhe drejtuesve të prokurorisë të rekomandimeve të qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjonaj rekomandoi një sërë problematikash, duke nënvizuar se pret nga Institucioni i prokurorisë drejtësinë e re për të ashpërsuar më tej luftën ndaj krimit të organizuar dhe plotësimin e pritshmërive dhe eficencës në arritjen e rezulateteve të reformës në drejtësi.
“Shqiptarët presin sot përgjigje të shpejta nga prokuroria, pa zvarritje dhe sorollatje, me muaj e me vite; presin që prokuroria të mos mbyllë sytë përpara veprave penale apo, akoma më keq, të bëhet palë me kriminelin, siç kemi vëmë re në disa raste kohët e fundit; presin që prokuroria të mos pushojë a mosfillojë çështje në kundërshtim të hapur me ligjin dhe provat. Presin me pak fjalë drejtësinë e re”, tha Gjonaj.
“Tashmë, nderi dhe detyrimet janë tërësisht tuajat, janë tërësisht të çdo prokurori. Shumë çka varet tashmë nga angazhimi, përkushtimi dhe profesionalizmi i gjithsecilit në kryerjen e kësaj detyre, që është njëkohësisht edhe një mision. Ka ardhur koha që pavarësia e secilit prokuror, thelbësore për një trajtim të pandikuar të çështjeve konkrete, të shoqërohet me më shumë proaktivitet, përgjegjësi dhe llogaridhënie të prokurorëve që është faqja tjetër e së njëjtës medalje”, u shpreh ajo.
Në fjalën e saj, ministrja tha se lufta kundër korrupsionit mbetet një nga sfidat kryesore edhe për vitin 2020 për garantimin e pavarësisë së institucioneve dhe organeve publike, zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin shoqëror të Shqipërisë.
Gjonaj theksoi se finalizimi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian mund të arrihet vetëm duke vendosur një standard të lartë në luftën kundër korrupsionit.
Ministrja Gjonaj adresoi në një takim online Rekomandimet e Qeverisë dhe vuri theksin në 5 drejtimet kryesore, në luftën kundër kriminalitetit, në lidhje me rritjen e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së prokurorit, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe respektimi i të drejtave të njeriut.
Rekomandimet nga Gjonaj u adresuan në prani të Prokurorit të përgjithshëm Çela, Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Kraja, përfaqësuesve të OPDAT, dhe drejtuesve të të gjitha prokurorive në vend./abcnews.al