Ernest Gjoka, trajneri i Shkëndijës së Tetovës, si zakonisht nuk i thotë “jo” ftesës për të folur në emisionin “Pressing” në ABC News. Në një lidhje direkte nga Maqedonia e Veriut, tekniku kryeqytetas analizoi përballjen e Shqipërisë kundër Kazakistanit.
“E ndoqa ndeshjen dhe mendoj se ishte paraqitje pozitive, jo e jashtëzakonshme. As negative nuk ishte. Trajneri ka të drejtën të bëjë zgjedhjet e tij, si me skemën, si me lojtarët, ashtu edhe me rinovimin. Kemi një ekip kombëtar që tenton të ndryshojë dhe të freskohet. Normalisht gabime gjenden.
A mund të bëhet ndryshe? Sigurisht, por ai ka filozofinë e tij dhe po mundohet të përshtatë. Kjo do kohë dhe po mundohet të stabilizojë lojën me skemën që ai mendon se mund të jetë e suksesshme. Ndeshja me Kazakistanin ishte deri diku e mirë. Me pak agresivitet dhe besim te vetja mund të fitonim”.
“Nuk jemi Italia, Holanda e Anglia. Le të vazhdojmë të ecim, të rritemi dhe të mendojmë sërish për një sukses si ai që regjistroi Gianni de Biasi. Moduli 3-5-2? Nuk do të thotë shumë, nuk ka lidhje çfarë shkruan në letër. Duhet të dihet se çfarë kërkon trajneri në interpretim në fushë.
Edhe kur ishte De Biasi kishte kështu diskutimesh. Nuk ka vlerë të debatohet për modulet. Duhet ta ndihmojmë kombëtaren. Modulin t’ia lëmë trajnerit, të punojë i qetë, jo në trysninë e mediave apo trajnerëve shqiptarë. /abcnews.al