Gjoka: Egbo ndryshoi Tiranën, Kukësi më i pjekur. Tifoz? Me kollaren e Bulkut…

schedule23:46 - 20 Shkurt, 2020

schedule 23:46 - 20 Shkurt, 2020

Ernest Gjoka është pjesë e historisë së Kukësit. Trajneri nga Tirana ishte në krye të skuadrës verilindore në sezonin e paharrueshëm 2016-2017 dhe ia doli bashkë me djemtë e tij të sillnin titullin kampion për herë të parë në Kukës. 50-vjeçari analizon supersfidën Kukësi-Tirana në një lidhje nga Tetova për emisionin “Pressing” në ABC News. Gjoka tregon se çfarë do të bëjë diferencën në këtë sfidë, teksa nuk i kursen batutat gjatë prononcimit të tij.

DUELI – “Është një ndeshje shumë e bukur, midis dy skuadrave si Tirana dhe Kukësi. Do të jetë një ndeshje dinjitoze, të justifikojë gjithçka për futbollin, profesionalizmin dhe qytetarinë. Shikoj një ndeshje të luftuar dhe që mund të fitohet nga dy skuadrat”.

ANALIZA – “Tirana ka kohë që po bën mirë. Egba ka sjellë qetësi, po e menaxhon mirë dhe po merr maksimumin nga skuadra. Kukësi ka shumë cilësi, ka pjekurinë e duhur. Unë mendoj se është një ndeshje decizive, sidomos në faktorin stol. Duro mund të ketë pak epërsi falë eksperiencës, e kam fjalën gjatë zhvillimit të ndeshjes”.

GJICI – “E dimë se kush është Gjici. Ai njeri do sukses, do gjithçka, ndërton skuadrën me gjithçka që duhet. Përfundimisht kërkon vetëm fitore. Kjo është mëse normale që një pronar të kërkojë suksesin e produktit që ka”.

PIKAT E FORTA DHE TË DOBËTA– “Pika më e fortë lidhet me ndryshimin e tempit nga ardhja e Egbosë, urinë, dhënien e maksimumit. Tirana ka ndryshuar fytyrë totalisht. Lojtarët po vrapojnë gjatë gjithë ndeshjes dhe po japin maksimumin. Kukësi është i pjekur ndër vite, elitar, di të fitojë ndeshjet e vështira dhe të menaxhojë avantazhin. E shikoj si një sfidë shumë të fortë, cilësia do të bëjë diferencën”.

BATUTA – “Do fitojë ajo skuadër që do di të kryejë më mirë detyrat dhe të kapë situatën përpara porte. Tifoz? Pak më shumë po anoj nga kollarja shumë e bukur e Ervin Bulkut, të cilin e përshëndes”.

SHKËNDIJA – “Kemi një garë shumë të fortë. Është një kampionat që po bëhet i egër nga java në javë. Në këto momentet jemi larg objektivave, por kam besim se skuadra do rikthehet dhe do jetë në garë deri në fund për ruajtjen e titullit, edhe pse jemi 8 pikë larg. Pse nuk e kam drejtuar ende Tiranën? Ne nga Tirana kemi një shprehje: ‘Buka e komshiut të shijon më shumë’“, përfundon Ernest Gjoka. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!