GJND thotë se ka juridiksion për të shqyrtuar rastet për Karabakun

schedule21:17 - 12 Nëntor, 2024

schedule 21:17 - 12 Nëntor, 2024

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) më 12 nëntor tha se ka juridiksion për të shqyrtuar rastet rivale të Armenisë dhe Azerbajxhanit lidhur me pretendimet e tyre për rajonin e Nagorno-Karabakut.

“Gjykata ka juridiksion” për të shqyrtuar rastet e paraqitura në shtator të vitit 2021, u tha në një deklaratë të lëshuar nga GJND-ja. Vendimi i panelit nga 17 gjykatës për këtë rast ishte unanim.

GJND-ja, me seli në Hagë, po ashtu ka vendosur në favor të Armenisë lidhur me dy kundërshtime që kishte, por ka refuzuar të tretin.

Në rastin e saj, Armenia pretendon se Azerbajxhani ka shkelur Konventën ndërkombëtare për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor dhe është angazhuar në “pastrim etnik” në rajon.

Azerbajxhani mohon këto pretendimet dhe ka ngritur një kundërpadi. Bakuja po ashtu akuzon Jerevanin për gjuhë të urrejtjes dhe propagandë “raciste”.

Rastet përmendin edhe veprimet që janë ndërmarrë në Nagorno-Karabak, një rajon malor brenda Azerbajxhanit, i populluar kryesisht nga armenët etnikë. Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra, në vitet ’90 dhe më 2020, lidhur me kontrollin e enklavës.