Gjithçka gati për finalen e madhe, Olympiacos sfidon Fiorentina në “mitikun” e Athinës

schedule08:36 - 29 Maj, 2024

schedule 08:36 - 29 Maj, 2024

Në “Agia Sophia” të  Athinës, “Violët” e Fiorentina do të luajnë finalen e dytë radhazi të Conference League, me italianët që sezonin e kaluar u mposhtën në aktin final nga anglezët e West Ham, teksa për ekipin nga Firence kjo do të jetë finalja e gjashtë europiane në histori, ku përballë do të kenë “gjigantët” grek të Olympiacos.

Skuadra e drejtuar nga Vincenzo Italiano ka fituar eksperiencë në Conference League dhe do të kërkojë ta shfrytëzojë në maksimum, pasi të gjithë janë në pritje të suksesit, me italianët që kërkojnë të rikthejnë në Toskanë një trofe europian pas 63 vitesh dhe jo vetëm, por edhe për të rikthyer te suksesi këtë klub që nuk fiton prej më shumë se dy dekadash, nga triumfi i fundit në Kupën e Italisë në sezonin 2000-2001.

“Violët” e Firences kaluan në gjysmëfinale skuadrën e Club Brugge, teksa gjatë rrugëtimit të tyre kanë eliminuar edhe skuadra si, Viktoria Plzen dhe Maccabi Haifa, teksa rrugëtimin e nisën që në fazën e grupeve duke e mbyllur në vendin e parë.

Finalja është me rëndësi edhe për teknikun Vincenzo Italiano kërkon lavdinë, pasi në të kaluarën nuk ka fituar asnjë trofe dhe për më tepër me skuadrën e tij ka humbur dy finale deri më tani dhe mbrëmjen e kësaj të mërkure do të zbresë në Athinë me një rekord të vendosur gjatë këtij sezoni, me 13 ndeshje europiane pa humbje, 7 fitore dhe 6 barazime, ecuria më e gjatë në historinë e klubit.

Në krahun tjetër, vetëm afro 10 km larg Pireut, rekordmenët e futbollit grek, Olympiacos do të zbresin në finalen e parë europiane në histori, teksa janë bërë ekipi i dytë nga Greqia që do të luajë në një finale europiane pas Panathianaikos në sezonin 1970-1971.

Skuadra nga Pireu nuk ka aspak kujtime të bukura nga Italia, pasi ka humbur gjashtë nga shtatë ndeshjet e fundit kundër ekipeve italiane, megjithatë do të kërkojë të kapet fortë pas trajnerit Jose Luis Mendilibar, fituesi i UEFA Europa League edicionin e kaluar me “Andalizuanët” e Sevilla, me trajnerin spanjoll që fitoi pikërisht kundër një ekipi italian si Roma.

Mendilibar është kthyer në një “hero”, pasi e mori drejtimin e skuadrës më 22 shkurt dhe në takimet e fundit me të në krye, Olympiacos ka humbur vetëm dy herë nga 12 përballje, duke fituar tetë dhe ka barazuar dy, megjithatë  jo vetëm trajneri 63-vjeçar është një pikë e fortë e grekëve.

Olympiacos disponon edhe sulmuesin më të mirë të kompeticionit, Ayoub El Kaabi me 15 gola në 18 ndeshjet e këtij sezoni, duke e nisur nga rrugëtimi në fazën e grupeve të Europa League-s me tetë finalizime dhe dhjetë rrjeta në Conference League, për të vazhduar me gjysmëfinalet ndaj Aston Villa, ku marokeni ishte protagonist absolut me 5 nga 6 golat e skuadrës.

Sa i përket historisë, kjo është përballja e parë midis të dyja skuadrave. Për “Violët” e Fiorentina, Olympiacos do të jetë kundërshtari i katërt nga Greqia, teksa më parë ka luajtur ndaj PAOK, AEK dhe OFI, ku ka zhvilluar në total 6 ndeshje, duke regjistruar 1 fitore, 4 barazime dhe 1 humbje.

Ndërkaq, në krahun tjetër për Olympiacos, skuadra nga Firence do të jetë kundërshtari i nëntë italian pas, Milan, Roma, Atalanta, Cagliari, Juventus, Napoli dhe Lazio, ku në total ka zhvilluar plot 24 përballje ku ka fituar 6 sfida, ka barazuar 5 të tilla dhe ka humbur në 13 raste. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!