Gjirokastra, destinacion i aventurës/ Qyteti i gurtë pushtohet nga motoçiklistët

schedule20:41 - 3 Maj, 2025

schedule 20:41 - 3 Maj, 2025

Gjirokastra po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët aventurierë, veçanërisht për ata që udhëtojnë me motoçikleta.

Me ardhjen e pranverës, qyteti i gurtë po mirëpret grupe të shumta vizitorësh nga vende të ndryshme të Evropës, të cilët kanë zgjedhur të eksplorojnë Shqipërinë përmes këtyre itinerareve.

Itineraret sportive në rrugët karakteristike me kalldrëm, shëtitjet nëpër zonat malore përreth dhe vizitat në pikat turistike më të njohura, si Kalaja e Gjirokastrës, po i japin një dimension të ri turizmit të aventurës në këtë qytet historik.

Sonja, pjesë e një grupi prej 9 motoçiklistësh nga Franca, shprehet e entuziazmuar për eksperiencën e saj në Shqipëri.

“Është një vend i mrekullueshëm. Vizituam kalanë – një monument shumë i bukur, me një pamje mbresëlënëse. Për fat sot kemi mot me diell dhe po e shijojmë shumë vizitën këtu”

Edhe një tjetër grup motoçiklistësh nga Italia, të cilët po përshkojnë jugun e vendit, ndalen në Gjirokastër për të shijuar arkitekturën unike dhe mikpritjen vendase.

“Mendoj se është një vend i bukur. Këto ditë po udhëtojmë nëpër Shqipëri; kemi qenë në Vlorë, Sarandë… qytete të mrekullueshme.”

Ky fluks në rritje i turistëve me motoçikleta po e kthen Gjirokastrën në një nga qendrat më tërheqëse për turizmin sportiv dhe të aventurës. Turet me motor po bëhen gjithnjë e më popullore falë kombinimit të natyrës, historisë dhe rrugëve sfiduese që i ofron kjo zonë.

Turizmi i aventurës, me itinerare të planifikuara dhe ndalesa kulturore, pritet të sjellë edhe më shumë vizitorë gjatë muajve në vijim, duke kontribuar ndjeshëm në ekonominë lokale dhe promovimin ndërkombëtar të Gjirokastrës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!