Ky rival i sjell fat, ndonëse këtë herë ndodhi ndryshe. Berat Gjimshiti ka fituar 7 ndeshje ndaj Milanit, në Serinë A e në Kupën e Italisë, duke pësuar 5 humbje e duke marrë tre barazime në gjithë karrierën e tij në Itali.
Gjithsesi, kënaqësia për bilancin pozitiv ndaj një superfuqie të futbollit italian dhe europian, u pakësua ndjeshëm për shkak të dëmtimit që kapiteni I kombëtares shqiptare pësoi në sfidën e fundit.
Atalanta fitoi 1-0 në “San Siro” ndaj shtatë herë kampionëve të kontinentit, por Gjimshiti u detyrua të dilte nga fusha pa u mbushur mirë një orë lojë.
Shkaku?
Dëmtim në kavilje, dhe mediat italiane theksojnë se dhimbja ishte e madhe e se u desh kohë për të dalë nga fusha.
Priten analizat mjekësore dhe frika është se mund të mungojë disa javë, edhe pse nuk besohet se do të rrezikojë ndeshjen e kombëtares ndaj Serbisë në 7 qershor për eliminatoret e Kupës së Botës.
Kjo është hera e pestë që Gjimshiti lëndohet këtë sezon, siç e tregojnë statistikat, pasi I ndodhi në shtator, tetor e nëntor 2024, dhe në janar të këtij viti.
Kuptohet që mosha 32-vjeçare ka nisur të ndihet.
Atalanta ia doli ndaj Milanit me meritë duke luajtur më mirë dhe falë golit nga Ederson në 62’.
Bergamaskët janë të tretët në Serinë A, me 64 pikë, pesë pikë mbi Juventusin që mban vendin e pestë, ndërsa duhen edhe 5 javë deri në përfundim.
Milani, ndërkaq, është tepër larg kupave të Europës, jo vetëm Ligës së Kampionëve, por edhe Ligës së Europës apo Ligës së Konferencës, ndonëse shpreson t’ia dalë në Kupën e Italisë, ku është ende në gjysmëfinale./abcnews.al