Berat Gjimshiti po përgatitet për sezonin e ri, me shpresën dhe besimin që do të jetë më i mirë se i kaluari, si në rrafshin personal edhe në lidhje me ecurinë me Atalantën. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka dhënë një rrëfim për Corriere di Bergamo.
Një nga qendrat më të mira në Serie A, flet rreth afrimit të Juan Musso. Klubi bergamask shpenzoi 20 milion euro për portierin argjentinas, i cili zëvendëson Gollinin e larguar te Tottenham. Më pas një koment edhe për lëvizjet taktike në repartin defensiv të Atalantës.
“Sigurisht që do na duhet pak kohë të njihemi me Musson, por jo dhe aq shumë. Jemi profesionistë, teksa ai e di mirë gjuhën italiane. Ndryshimet taktike në mbrojtje? Po, mund të ndodhin. Kemi luajtur shumë herë me katër pas, sidomos në fazën e dytë të sezonit të kaluar.
A ndryshon gjë për mua? Është një tjetër skemë, diçka ndryshon sigurisht, por nuk ndryshon qëndrimi i skuadrës tonë. Atalanta synon të luajë gjithmonë një futboll agresiv dhe plot intensitet. Unë jam një qendërmbrojtës.
Jam mësuar tashmë në këtë rol. Nëse do mund të kthehesha edhe një herë i vogël? Do të luaja si sulmues“, thekson lojtari nga Presheva, një nga më të dashurit e tifozëve shqiptarë. /abcnews.al